E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet e ardhshme lokale “ndajnë më dysh” Mitrovicën

 

Qeveria e Kosovës po përpiqet që para zgjedhjeve lokale të vitit të ardhshëm, të formojë komunën veriore të Mitrovicës, sipas parashikimit në planin e Ahtisarit, që i dha Kosovës pavarësinë. Ideja ka përplasur përsëri serbët dhe shqiptarët që jetojnë në Mitrovicë, ku secila prej etnive e sheh si të papërshtatshëm këtë pjesë të planit. Për Këshillin Nacional Serb, ideja është krejtësisht e papranueshme dhe cenuese. “Komuna e Mitrovicës veriore ekziston dhe ajo nuk do të krijohet as me planin e Rexhepit, e as me atë të Ahtisarit”, tha Milan Ivanoviç, drejtues i Këshillit Nacional Serb. Sipas tij, “ata e kanë menduar shumë mirë që disa lagje të përziera apo lagje shqiptare në Mitrovicë, t’i takojnë pjesës jugore, ndërsa veriu i Mitrovicës, Zveçani e Leposaviqi të mbesin të rrethuara nga fshatrat shqiptare, gjë që shumë shpejt mund të çojë në destabilizim dhe ndërprerje të komunikimit të pjesës veriore me Serbinë. Është e qartë se këtë plan e ka sjellë ndonjë analist ushtarak shqiptar, gjë që serbëve nuk u përshtatet fare”, tha Ivanoviç. Por pengesat nuk vijnë vetëm nga serbët, edhe shqiptarët e veriut të Kosovës i druhen zbatimit të këtij plani. “Shqiptarët kanë drojë se si do të përdoret ky pushtet i gjithëfuqishëm nga komuniteti shumicë i komunës së re, qoftë në Mitrovicë, Ranillug, Kllokot e komuna të tjera. Ndërsa serbët kanë dilema se cili është shpjegimi i Beogradit për këtë, dhe nëse marrin pjesë, a thua do të tregojnë se jeta po normalizohet dhe “brenga” që Beogradi e tregon është e paqëndrueshme. Kemi këto rezerva, por kjo është një ofertë me të cilën mund të lëvizim nga gjendja momentale”, tha për REL ministri kosovar i Pushtetit Lokal, Sabri Ferati. Serbët nuk pajtohen që veriu i Mitrovicës të shndërrohet në komunë nën kushtet e përcaktuara në propozimin e Ahtisarit, të cilin legjislativi i Kosovës e ka shndërruar në ligj. “Nuk pajtohemi me planin e Ahtisarit. EULEX-i është këtu nën kushtet e vëna nga OKB-ja, e jo me planin e Ahtisarit”, tha Ivanoviç. Ndërsa përpiluesi i planit ka shprehur pakënaqësinë për situatën në Kosovë. Gjatë një interviste për agjencinë “Echo” të Moskës, ish-kryenegociatori i statusit të Kosovës tha se situata në Kosovë “nuk është aspak e lehtë, por po shkon drejt keqësimit. Faji i kësaj është vetëm i serbëve, të cilët nuk duan të bashkëpunojnë me organizatat ndërkombëtare mbi këtë çështje”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›