E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia: Bllokohet sheshi “Skënderbej”

 

TIRANE – Drejtoria e Policisë së Tiranës lajmëroi dje se me rastin e festës së Kurban Bajramit, më 8 dhjetor 2008, Komuniteti Mysliman do të zhvillojë në sheshin “Skëndërbej” në kryeqytet ritet fetare për këtë ditë feste. “Në këtë kuadër, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë do të marrë masa për sigurimin e rendit dhe të qetësisë publike, për garantimin e zhvillimit normal të kryerjes së riteve fetare”, tha më tej policia. Sipas saj, duke filluar nga ora 04:00 e datës 8 dhjetor 2008 deri më orën 09:00 të kësaj dite, do të merren masat për bllokimin e segmentit rrugor përgjatë sheshit “Skënderbej”, dhe Xhaminë e Et`hem Beut. “Po në këtë ditë do të ketë kufizime të qarkullimit dhe ndalim parkimi, pranë Komunitetit Mysliman në rrugën “George W. Bush”, në inteneraret 09:00 deri më 13:30, pasi aty do të zhvillohen pritjet zyrtare të Personaliteteve të larta Shtetërore dhe të Trupit Diplomatik të akredituara në Tiranë. “Sa më sipër, lutemi qytetarëve për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, për bllokimin e sheshit “Skënderbej” dhe kufizimet e qarkullimit në aksin e lartëpërmendur, tha dje policia e kryeqytetit. Sipas saj, masat kryesore janë përqendruar në drejtim të menaxhimit të trafikut rrugor, duke realizuar kështu në orët e mëngjesit bllokimin e sheshit “Skënderbej” pranë xhamisë në qendër të Tiranës, ku besimtarët myslimanë do të kryejnë ritet e faljes. Më pas do të jetë e bllokuar rruga “George W Bush” mes Parlamentit dhe Komunitetit Mysliman, për shkak të ceremonive që pritet të organizohen në këtë institucion me rastin e festës së Bajramit. Sipas policisë, masat do të jenë prezente në oraret e paralajmëruara për zhvillimin e aktiviteteve dhe më pas, sipas orareve të përcaktuara, qarkullimi do të rikthehet normalisht në sheshin “Skëndërbej” dhe në akset e tjera të kryeqytetit, ku është planifikuar zhvillimi i aktiviteteve me rastin e festës së Bajramit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›