E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anulohet ndeshja e Teutës me të burgosurit

Policia anulon ndeshjen e futbollit mes ekipit të profesionistëve dhe atij të burgut të Durrësit. Një ndeshje futbolli në sallë midis lojtarëve të Teutës dhe ekipit të të dënuarve dhe të paraburgosurve të burgut të qytetit bregdetar është anuluar për shkak të masave të sigurisë. E planifikuar dje, për në orën 14:00, ndeshja është anuluar për shkak të listës së ngarkuar të lojtarëve me emra të botës së krimit dhe morisë së njerëzve që ishin mbledhur jashtë pallatit të sportit ku do të zhvillohej ndeshja. Vendimin e ka marrë autoriteti policor i qytetit kur ka parë mes tifozerisë së shumtë që ndodhej jashtë pallatit të sportit "Ramazan Njala" familjarë dhe miq të anëtarëve të ekipit të burgut. Drejtoria e Institucionit të Edukimit të Veprave Penale në Durrës ka futur në listën e lojtarëve të burgosur dhe paraburgosur që janë dënuar dhe akuzohen për vepra të rënda penale, si vrasjet dhe tentativë vrasjeje. Drejtuesit e policisë janë habitur kur janë njohur me listën e lojtarëve të prezantuar nga drejtori i Institucionit, Abdulla Duka. Për shkak të rëndësisë dhe sigurisë që kërkojnë aktivitete social-integruese të kësaj natyre, pritej që në listën e lojtarëve të ishin të tjerë persona, pa paragjykuar ata që u përzgjodhën mbase bazuar në fizikun dhe qëndrueshmërinë e tyre në lojë përballë futbollistëve profesionistë dhe dëshirës për fitore. Në listë, sipas burimeve të policisë, qenë individë të dënuar për krimin e vrasjes dhe të tjerë në pritje të gjykimit për krime të rënda kundër personit. Për të shmangur çdo incident të mundshëm, drejtuesit e policisë lokale kanë vendosur ta anulojnë ndeshjen e futbollit, duke sjellë zhgënjim te lojtarët e burgut, mes të cilëve ishin dhe emrat e shtetasve Ilir Xhakja nga Sukthi i dënuar për vrasje dhe drejtim grupi kriminal, Orges Dervishi autor i një vrasjeje në qytetin bregdetar e të tjerë persona të dënuar me 25 vjet heqje lirie a në proces hetimi e gjykimi për krime të rënda, si vrasje a tentativë vrasjeje. Burimet policore bënë të ditur se shërbimet e tyre i patën marrë të gjitha masat për të garantuar zhvillimin normal të ndeshjes në sallë, por prania e shumë njerëzve të afërm të lojtarëve që ndodhen pas hekurave e ka bërë të pasigurt situatën, ndërkohë që numri i punonjësve të policisë së burgut që shoqëronte ekipin ishte i vogël.

V. Qyrfyçi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›