Anulohet protesta, rritje pagash për Policinë e Burgjeve
Anilejda Shëmbitraku
Sindikata e Shërbimeve Policore të Shqipërisë ka njoftuar se ka hequr dorë nga protesta që ishte lajmëruar se do të zhvillohej nesër në Tiranë; kjo pasi qeveria, në mbledhjen e saj të fundit, ka plotësuar disa nga kërkesat më emergjente të parashtruara nga Sindikata. Kjo sindikatë, pas 2 vitesh, arriti suksesin e saj lidhur me miratimin e VKM-së “Për pagat dhe gradat në Policinë e Burgjeve”. Qeveria e ka miratuar këtë VKM duke u ardhur kështu në ndihmë mbi 3500 punonjësve të Policisë së Burgjeve dhe familjeve të tyre. Lajm i mirë për Policinë e Burgjeve është firmosja e gradave dhe implementimi i tyre për vitin 2011. Efekti financiar i VKM-s për pagat në Policinë e Burgjeve filloi që në korrik ‘09. “Besojmë se kësaj radhe është zgjidhur problemi financiar si për gradat, ashtu dhe për javën reale 40-orëshe të punës në Policinë e Burgjeve”, - ka deklaruar për gazetën “Albania” Valentin Macaj.
Trajtimet
Sindikata, në bashkëpunim me Drejtorinë e Burgjeve, ka arritur mirëkuptimin lidhur me pajisjen me uniforma sipas kërkesave imediate të disa burgjeve dhe për çështjen e pagesës së transfertës së punonjësve. Zgjidhje do të ketë edhe për trajtimin ushqimor, pasi Drejtoria e Burgjeve ka dërguar për miratim në Ministrinë e Drejtësisë urdhrin përkatës. “Kërkesat kryesore që Sindikata jonë i kishte drejtuar qeverisë, Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, janë realizuar. Nisur nga kjo, protesta e lajmëruar më datë 18.12.2010 nuk do te zhvillohet”, - ka deklaruar Macaj. Sindikata e Shërbimeve Policore të Shqipërisë i siguron anëtarët e saj se do të vazhdojë bisedimet me drejtuesit e Burgjeve dhe me Ministrinë e Drejtësisë, në mënyrë që kërkesat e tjera të marrin rrugën e zgjidhjes brenda janarit 2011.
Kontrata
Sindikata ka njoftuar gjithashtu se në janar 2011, Policia e Burgjeve do të ketë kontratën e saj kolektive dhe kontratën individuale të punës bazuar në ligjin 7961 “Kodi Punës” dhe 10032 “Për Policinë e Burgjeve”. Sindikata jonë, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, do të kërkojë ngritjen e një komisioni dypalësh lidhur me përmirësimin e ligjit aktual “Për Policinë Bashkiake”, si dhe përshtatjen e tij me standardet e Bashkimit Europian. “Shpresojmë që ky lajm i mirë për Policinë e Burgjeve të jete një kartolinë për vitin 2011 dhe të jetë një shans i mirë që kërkesat tona të gjejnë rrugën e zgjidhjes dhe mirëkuptimit.
Kërkesat
Çfarë i ka kërkuar Sindikata qeverisë
1- Të miratohet sa më parë VKM për pagat sipas gradave në Policinë e Burgjeve, duke filluar zbatimi i tij që nga viti 2008.
2- Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve duhet të nënshkruajë kontratën kolektive të punës me Sindikatën, si të vetmen zgjidhje për zbatim të drejtash dhe detyrimesh në mes punëdhënësit dhe punëmarrësit.
3- Të jepet zgjidhje e shpejtë lidhur me pajisjen me uniforma dhe trajtimin ushqimor sipas normave dhe ligjeve të miratuara.
4- Të zgjidhet problemi i transportit për punonjësit, ose të jepet një bonus mujor financiar për përballimin e shpenzimeve.
5- Të ndalen transferimet e punonjësve dhe të kthehen ata punonjës që vazhdojnë të vuajnë prej këtij fenomeni.
6- Të fillojë transparenca e pagave për çdo punonjës dhe të zbatohet java 40-orëshe e punës. Orët shtesë, ditët e festave, gatishmëritë dhe orët e natës të paguhen sipas ligjit 7961, dt. 12.07.1995, “Kodi i Punës në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
7- Të sigurohet jeta e punonjësit të policisë dhe të jepet një rrugëzgjidhje për strehimin e atyre familjarëve në banesa sociale shtetërore.
8- Shërbimi mjekësor të jetë falas dhe të mos neglizhohet kurimi i tyre nga spitalet shtetërore shqiptare.
9- Të fillojë trajnimi i punonjësve sipas praktikës europiane, ku të përfshihen temat e të drejtave sociale e civile.
Policia
Kërkesat që ka plotësuar qeveria
1- Masa e pagës sipas gradës.
2- Pajisja me uniforma sipas kërkesave imediate të disa burgjeve.
3- Ndryshimi i pagës për punonjësit e transferuar.
4- Ndryshimi i kushteve për trajtimin ushqimor të punonjësve të Policisë së Burgjeve.
5- Në janar 2011, Policia e Burgjeve do të ketë kontratën e saj kolektive dhe kontratën individuale të punës.
VENDIMI
Qeveria ka miratuar ndryshimin e paraqitjes së gradave të Policisë së Burgjeve. Në vendimin e Këshillit të Ministrave thuhet se, në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 28, të Ligjit Nr. 10032, datë 11 dhjetor 2008, “Për Policinë e Burgjeve”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave.
VENDOSI:
1. Miratimin e formës dhe të ndërtimit të gradave për Policinë e Burgjeve, të cilat të jenë sipas përcaktimeve të bëra në albumin, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Miratimin e gradave të Policisë së Burgjeve, sipas kategorive të mëposhtme:
a) Gradat e rolit bazë;
b) Gradat e rolit të mesëm;
c) Gradat e rolit të lartë.
3. Elementet përbërëse të gradave dhe shenjat dalluese/identifikuese të jenë sipas përshkrimeve në albumin, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
4. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
5. Ngarkohen ministri i Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
17 Dhjetor 2010