E Shtunë, 31 Tetor 2026

Virozat e stinës, kujdesi për moshat e vogla

04/02/2009   Flet mjekja pediatre Jolanda Tauzi

Trajtimi i kompikacioneve

Gjatë ditëve të fundit janë shtuar komplikacionet shëndetësore te moshat e vogla për shkak të paqëndrueshmërisë së temperaturave. Çdo ditë më shumë se 300 fëmijë i drejtohen urgjencës së QSUT-së për marrjen e ndihmës së parë mjekësore, por të shumta janë dhe vizitat që kryhen pranë poliklinikave të lagjes, duke bërë që shifra e të prekurve të jetë edhe më e lartë. Ndërsa nga ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik është pohuar se ndodhemi në prag të epidemisë së gripit, që pritet të përfshijë edhe vendin tonë. Sipas mjekëve, ajo çfarë cilësohet si më shqetësuese është trajtimi që u bëjnë vetë prindërit fëmijëve nëpërmjet dhënies së qetësuesve të marrë në farmaci pa u këshilluar më parë me mjekun specialist. Në një intervistë për gazetën “Metropol” mjekja pediatre Jolanda Tauzi jep këshillat për kujdesin që duhet treguar ndaj fëmijëve menjëherë sapo shfaqen shenjat e para klinike të virozave, që kanë mbërthyer tërë vendin.

- Si paraqitet situata e shëndetësore e fëmijëve që paraqiten për trajtim dhe a bëhet fjalë për një prag epidemie gripi, ashtu siç është deklaruar nga specialistët e Shëndetit Publik?

- Gjatë këtyre ditëve në ambientet e poliklinikës sonë është shtuar numri i pacientëve që paraqiten për trajtim për shkak të komplikacioneve të shfaqura nga ndryshimi i kohës. Megjithatë, pjesa dërrmuese e pacientëve kanë manifestuar simptoma të virozave të stinës, ndërsa rastet e gripit kanë qenë më të pakta dhe nuk mund të themi se ka shpërthyer epidemi. Situata mund të jetë ndryshe, pasi shumë prej pacientëve shkojnë për ndihmë direkt në spital, dhe këta mund të jenë të shumtë. Përgjithësisht komplikacionet e shfaqura kanë qenë ato të bllokimit të rrugëve të frymëmarrjes, laringitet, anginat, çrregullimet gastrointenisnale etj.

- Me çfarë simptomash manifestohen këto viroza dhe cilat mosha preken më shumë?

- Shfaqja klinike e këtyre virozave të stinës është e ndryshme nga njëri fëmijë tek tjetri. Por mund të themi se shenjat më të dukshme janë temperatura e lartë dhe nuk kanë qenë të pakta rastet e pacientëve që janë paraqitur me temperaturë të lartë në ditët e fundit. Gjithashtu te shumë fëmijë këto komplikacione shoqërohen edhe me të vjella dhe heqje barku. Simptoma të tjera janë dhimbjet e kyçeve dhe dobësia trupore që shfaqin. Duhet të themi se shfaqja e këtyre simptomave është e ndryshme nga një individ tek tjetri, pasi mund të ndodhë që jo të gjitha të manifestohen tek i njëjti pacient. Kategoritë më të rriskuara janë fëmijët e moshave 2 deri 6 vjeç. Këtu te ne pjesa dërrmuese e pacientëve që kanë kërkuar ndihmë dhe trajtim mjekësor kanë qenë të moshës dy-trevjeçare. Siç duket, pjesa tjetër i është drejtuar urgjencës së spitalit për të marrë ndihmën përkatëse.

- Lidhur me trajtimin mjekësor ç’mund të themi në këtë situatë?

- Menjëherë sapo të shfaqen simptomat e para të sëmundjes, qoftë edhe njëra prej tyre, është e këshillueshme që prindi ta çojë fëmijën për vizitë te mjeku specialist. Është kategorikisht e ndaluar marrja e ilaçeve qetësuese në farmaci pa u vizituar më parë fëmija. Kjo për faktin se duke përdorur këto ilaçe pa rekomandim ka ndodhur që te shumë fëmijë gjendja shëndetësore është përkeqësuar më tej, në vend që të përmirësohej. Kjo për faktin se efektet e ilaçeve të marra kanë rënë në kundërshtim me reagimin që bën trupi i fëmijës. Prandaj është shumë e nevojshme që më parë të vizitohet fëmija te mjeku specialist dhe vetëm më pas të përdoren barnat. Por fatkeqësisht këtu te ne janë të shumtë prindërit që me të shfaqur simptomat u drejtohen farmacive për të marrë ilaçe pa bërë vizitat. Megjithatë, duhet theksuar se trajtimi me barna i pacientëve të sëmurë është i ndryshëm sipas shkallës së problemeve të shfaqura.

- Cilat janë këshillat që duhet të kenë parasysh prindërit për të mbajtur sa më larg këto shqetësime për fëmijët e tyre?

- Trajtimi i këtyre virozëve ndryshon në varësi të veçorive individuale të pacientëve të vegjël. Megjithatë, prindërit duhet të tregojnë shumë kujdes në mosmbajtjen e fëmijëve në ambiente të mbyllura, sepse kështu rrezikojnë të përforcojnë sëmundjen më shumë. Gjithashtu është e nevojshme që të konsumohen sa më shumë lëngje me përbërje vitaminash të ndryshme dhe marrja e sasive të shumta të lëngjeve të frutave. Kujdes duhet treguar edhe në veshje. Kështu, nëse fëmija manifeston simptomat e mësipërme, nuk duhet të vishet trashë, sepse në atë formë kalojnë në rëndim tjetër të sëmundjes për shkak edhe të djersitjes së shumtë. Ambienti në të cilin qëndrojnë duhet të ajroset vazhdimisht. Ndërsa këshillat e tjera më specifike jepen nga mjeku specialist, sepse simptomat e sëmundjes shfaqen në forma të ndryshme te pacientët.

Këshilla

Evitimi i ambienteve të mbyllura.

Shmangia e kontakteve me njerëz të tjerë të prekur.

Përdorimi i sa më shumë lëngjeve.

Konsumi i sa më shumë vitaminave në përbërje të ndryshme.

Veshja jo trashë e fëmijës.

Të mos përdoren barnat qetësuese pa rekomandimin e mjekut.

Simptomat

Temperaturë e lartë

Heqje barku

Të vjella

Dhimbje kyçesh

Debulesa trupore

Vështirësi në frymëmarrje etj.

Kollitje

Urgjencat e QSUT-së në prag epidemie

Çdo ditë paraqiten për trajtim mbi 500 pacientë

Afrohet edhe në vendin tonë epidemia e gripit. Ekspertët e Shëndetit Publik kanë pohuar se së shpejti edhe vendi ynë do të mbërthehet nga epidemia që tashmë ka pushtuar tërë Evropën. Sipas drejtuesve të departamenti të sëmundjeve infektive, parashikohet ardhja e këtij virusi në vendin tonë gjatë këtij muaji. Gjatë 24 orëve paraqiten rreth 500 veta në urgjencat e spitaleve dhe qendra shëndetësore për trajtim. Specialistet theksojnë se ky do të jetë virus gripi dhe jo vetëm një virozë e thjeshtë stine, si ato që qarkullojnë aktualisht në vend e që ka prekur më shumë se 9 mijë persona vetëm gjatë javës së fundit. Kategoritë më të rriskuara kanë qenë fëmijët e vegjël dhe moshat e treta, por këto shqetësime janë ndier edhe tek të sëmurët kronikë, ata që punojnë në grup dhe personat që kalojnë një kohë të gjatë duke punuar.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›