Delikatesë për profesoratin që pensionohet!
- Është e natyrshme që ka një fillim dhe një fund. Por fillimi si zakonisht mund të jetë i vrullshëm, për shkak të moshës rinore dhe të “paditurisë”, fundi duhet të jetë i matur, një “ulje e butë”, term i aviacionit, bosh për argumentet më lart: mosha dhe dituria.
- Shkak për të përvijuar këto shënime u bë një debat mes kolegësh për pensionim akut, brenda një afati të prerë me thikë, mu në mes të procesit mësimor akademik të një profesoreshe në FSHN, Tiranë. Si ky rast mund të ketë edhe shumë të tjera. Në aspektin ligjor, me ato që i kemi pranuar, kanë të drejtë, por edhe mund të rishikohen për t`i zbutur. Pensionimi i profesorëve nuk duhet të jetë si rituali i zëvendësimit të ushtarëve të vjetër, 2-3 vjet shërbim me ata të rinj (për të dy kategoritë kam respekt), që me të qeshur, kohë përpara thërritej: Dorëzoji armën ushtarit tjetër (DAUT). Zëvendësimi i pedagogëve mban aromë ushtarake, si çmobilizim-mobilizim!
- Është e domosdoshme një mbivendosje kohore bashkëpunimi, kalim idesh dhe përvojash mësimore, didaktike dhe shkencore nga profesori që largohet zyrtarisht (ligjërisht) te rinia që vjen me pasion, por që i mungojnë shumë elemente.
Kjo nismë osmozë kërkon kohën e saj, nuk mund të bëhet brenda një jave apo një dite, aq më keq kur një palë i kthen shpinën tjetrës. Ndaj, “i larguari” duhet të qëndrojë, të paktën për një periudhë semestrale apo vjetore, sepse integriteti i disiplinave universitare është i kësaj zgjatjeje kohore, nga leksioni (etj.) i parë deri në vlerësimin përfundimtar, sepse nuk mund të bëhet vlerësimi me pedagogë të komanduar duke ditur që çdo lektor ka metodën, stilin, gjuhën, literaturën e përzgjedhur, natyrisht brenda një programi të përcaktuar me fleksibilitet.
Edhe nëse pensionimi është planifikuar, ai nuk mund të jetë i prerë, në mes të procesit akademik. Mund të gjejmë paralele të shumta. A mund t`i thuhet një kirurgu të dorëhiqet nga një operacion i planifikuar me datë dhe me orë për t`u realizuar nga i dyti, kur i pari ka përcaktuar në hollësi të gjitha elementet, nga i sëmuri, gjendjen patologjike, bile edhe shoqërore, mekanizmin e ndërhyrjes e deri në reanimacion. As edhe shoferët nuk huazojnë makinat e njëri-tjetrit, sepse ata njohin mirësitë dhe dobësitë e mjeteve të tyre, pra dinë “të lexojnë mes rreshtave”.
Për të shkëmbyer bëjnë një guidë reciproke në fushë dhe në mal e më pas mund ose jo të bien njëzëri (dakord).
- Profesorët që pensionohen, ata që gëzojnë shëndet fizik dhe mendor të mirë, nuk është se kërkojnë lëmoshë financiare edhe për disa vite. Duhet pranuar se vitet e fundit janë bërë përmirësime të dukshme në aspektin moral dhe financiar, veçanërisht për profesoratin. Por, përsëri duhet kujtuar konkurrenca dhe interesimi i arsimit të lartë privat, i cili për të njëjtin kontribut shpërblen 3-4-fishin e atij publik. Njohim me dhjetëra raste që të pensionuarit me publikun janë rinuar me privatin. Disa janë joshur, ndërsa të tjerë tërhiqen sepse për 30-40 vjet janë lidhur me mikroklimën shkencore, didaktike dhe shpirtërore me universitetin publik, pra kanë krijuar një stereotip dinamik në punën dhe jetën e tyre, ndaj e kanë të vështirë të largohen nga kjo simbiozë.
- Situata të ngjashme të qëndrimit refraktar të administratës në raport me profesoratin janë ndeshur edhe gjatë zgjedhjeve universitare të fundit. Një profesor që për 4 vitet e ardhshme do të ishte në intervalin e pensionimit nuk lejohej të kandidonte në disa këshilla. Nuk do të bëhej kiameti që të ishte anëtar edhe një apo dy vite pas pensionimit. Të themi, prania e profesor Aleko Mingës në x apo y organizëm, kujt do t`i bënte nder dhe për kë do të ishte e dobishme? Po ashtu, për të kandiduar duhej, çuditërisht, edhe dëshmi për titujt, kur ai është pedagog dhe profesor nga Gjykata dhe Prokuroria, kjo edhe për një pedagog efektiv prej 30-40 vitesh që është konfirmuar si një figurë simbol.
Të gjithë gjejmë mirëkuptim me ligjin për arsimin e lartë. Duke parë këto non-sense duhej të ishim treguar më të vëmendshëm në kohën e hartimit të tij. Tashmë, të paktën për aspektet që trajtuam, nuk ka pse të mos kërkojmë amendime. Një tërheqje natyrore, shoqërore dhe ligjore nga jeta akademike universitare duhet të jetë e butë, as drastike dhe as shokuese, e tipit on/off. Mosha 68-vjeçare për profesorët mos të shihet si shtrati i Prokustit. Kjo fjali e fundit mund të ishte edhe titulli i këtij shkrimi modest.