E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në një roman të ri, “zbulohet” edhe Kongoli



“Bolero në vilën e pleqve” është romani i ri i shkrimtarit Fatos Kongoli, i hedhur dje në treg nga botimet “Toena”. Vetmia, ekzistencializmi dhe bota e brendshme e një femre në romanin e Kongolit. Dy pleq, në një vilë dhe një infermiere që kujdeset për ta. Në aktin e fundit të jetës, pleqtë i shkruajnë letra njëri-tjetrit, të cilat i zhdukin pa lënë gjurmë, ndërsa infermierja përpiqet më kot t’i shtjerë në dorë. Botën e mbyllur të vilës e trazojnë kohë më kohë doktori i familjes, njeri qejfli, hokatar dhe i paparashikueshëm; djali i pleqve, bos i një firme të fuqishme ndërtimi, me gruan e tij të re e të bukur; vajza e madhe e pleqve, gjyqtare e rreptë; një femër enigmatike, po aq e bukur, veshur gjithmonë me të zeza etj. “Duke na sjellë me këtë libër prozën e tij më të përkryer, Kongoli, përmes rrëfimit të infermieres, zbulon misteret e saj, dramat e personazheve, me ndërlikimet, dëshirat e fshehura, në një mjedis shpesh të egër, të pamëshirshëm, ku femra është më e pambrojtura. Një qasje ndaj ekzistencës njerëzore, që nuk e kemi hasur më parë në letrat shqipe”, - thuhet në njoftimin për shtyp të shtëpisë botuese “Toena”. Librat e Kongolit janë botuar në Francë, Itali, Zvicër, Greqi, Gjermani, Poloni, Sllovaki, Bullgari, Serbi, Britani e Madhe, me jehonë në disa nga gazetat dhe revistat më të mëdha evropiane si Le Monde, Le Figaro, La Stampa, Le Temps, Le Soir, L’Express, Magazine Litteraire, Der Tagesspiegel, The Guardian, The Indipendent etj. Është tri herë fitues i çmimit vjetor për librin më të mirë në prozë dhënë nga Ministria e Kulturës (1995, 2000, 2002), si dhe i çmimit “Velia” (2000). Është fitues i çmimit ndërkombëtar “Balkanika” 2002. Është fitues, gjithashtu, i çmimit më të lartë letrar në Shqipëri “Penda e Artë” (2004). Shoqata e Botuesve Shqiptarë e ka vlerësuar me çmimin “Shkrimtari i vitit” për 2006-n, ndërsa romani “Lëkura e qenit”, përkthyer në gjermanisht, u shpall libri i muajit qershor 2006 në Gjermani. Është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›