Romanca dramatike, në ekranin e kinemasë
Historia e çuditshme e Benjamin Button, The Curious Case of Benjamin Button vijon të shfaqet ende në kinema Millennium. Romanca dramatike, e mbushur me mister ka ngjallur kureshtjen e publikut,i cili nuk ka munguar këto ditë në sallën e kinemasë. Nga punonjësit e kinemasë mësohet se oraret më të preferuara kanë qenë ato të mbrëmjes. Fitues i tre çmimeve Oscar dhe 89 çmimeve e kandidimeve të tjera filmi sjell historinë e një plaku mes dashurisë,jetës dhe vdekjes. Një superprodhim faraonik, prej 150 milionë dollarësh, që sjell magjinë e artit dhe shkencës në ekranin e madh brenda 166 minutave.
Në Nju Orlins, në Luiziana, njerëzit kanë dalë në rrugë për të festuar mbarimin e luftës së parë botërore por edhe për të pritur një fëmijë që ka lindur me pamjen e një plaku 80 vjeçar. I refuzuar dhe i braktisur nga babai,Benjamin rritet nga një nënë që e ka birësuar dhe fillon të krijojë përvojën e tij. Nën një tavolinë të ndriçuar nga drita e zbehtë e një qiriu, ai dashurohet për gjithë jetën me Dejzin, dhe duke jetuar jetën e tij, do të zhvillojë dashurinë e tyre. Kjo është historia e një filmi i cili për 40 vjet mbeti në sirtarët e Hollivudit, vetëm si një tregim i Francis Scott Fitzgerald. Ndonëse tentativat e regjisorëve më të mëdhenj si Steven Spielberg, Spike Jonze apo Ron Haërd nuk munguan asnjëherë, filmi dukej si një ëndërr e largët. Derisa regjisori David Fincher dhe skenaristi i Forest Gump, Eric Roth ia dolën që të fusnin jetën e pazakontë të Benjamin Button në pelikul. I përshtatur nga tregimi me të njëjtin titull, Benjamin Button arrin që ti tregojë spektatorit, një plak - të ri dhe një të ri plak që jeton çastet e jetës. Gjithçka që ndodh është e vendosur në një kontekst historik që shërben më shumë si një sfond. Në gati tre orë shihet procesi i kundërt i jetës së Button, por përtej lojës së kohës, mbetet në mendje emocionet dhe ndjenjat e protagonistit ashtu siç thotë vetë ai me një nga batutat e tij: Jeta nuk matet me minuta, por me çaste. Në rolin e Benjamin Button luan aktori Brad Pitt ndërsa dashuria e tij e përjetshme, Dejzi është interpretuar nga Cate Blanchett.