E Hënë, 2 Nëntor 2026

Teatri i Metropolit vijon sezonin artistik me Kopshtin e Vishnjave

Sezoni artistik në Teatrin e Metropolit vijon me veprën teatrore Kopshti i Vishnjave nga Anton Çehov. Vepra e shkruar nga autori i madh rus, e cila hapi siparin e shfaqjeve në ditët e para të muajit prill do të shfaqet për publikun dhe në ditët e para të muajit maj. Në skenë ajo u vendos nga vetë drejtori i këtij teatri regjisori Kiço Londo, i cili ka në fokusin e tij si regjisor shumë aktorë të rinj. Vepra Kopshti i Vishnjave, e cila vjen me regji të Kiço Londos, ka si as/ regjisore Adelina Muçën, përkthyer nga Besi Londo dhe skenografia nga Berinda Kokona, muzika nga Shostakovic. Aktoret në shfaqje janë: Eni Jani-Ljubova Andrejevna, Alban Krasniqi-Gajevi, Loredana Gjeci-Varja, Roland Saro-Trofimovi, Bledar Jasha, Adriana Tolka Sharlot, Devis Muka-Llopahini, Esela Pysqyli-Anja, Genti Decka-Hepiodovi, Orjana Cama-Dunjasha, Valon Pallaska-Firsi, Marvin Tafaj-Pishcik, Ledjan Papagjoni-kalimtari. Shfaqja në mënyrë simbolike paraqet kompleksin e kopshtit,që ka të bëjë me gjymtimin psikologjik dhe shpirtëror që i krijohet njeriut kur humb gjënë më të mirë të vetes apo të jetës: një pronë, një pasion, një profesion, një ëndërr. Me humbjen e kopshtit, pronarët e vjetër humbin ëndrrën, prejardhjen, identitetin që nuk janë çështje materiale por psikologjike, botëkuptimore. Edhe jeta e njerëzve të artit nuk ka kuptim pa dedikimin ndaj profesioneve tona. A duhet të mësojmë deri në fund mençurinë e të harruarit nga ato, e heqjes dore, apo përkundrazi të vazhdojmë deri në fund? Kur shohim njerëz të artit, që kanë hequr dorë nga iluzionet e kaluara dhe janë bërë pasanik, duke u marrë me tjetër gjë, këmbëngulja jonë mund të duket e dyshimtë, por kultura nuk është ideologji, që i iku mosha apo koha dhe të merresh me të në kohëra të vështira, kur ajo perëndon përkohësisht është të kesh shijen e fisnikërisë së dështimit, të cilën japonezët e quanin virtyti numër një të heroit. Njerëzit e teatrit që besojnë ende në fuqinë e skenës, duken si mbretër të ringjallur që kanë qenë të eliminuar nga partizanët e të dobishmes, të cilët i presin kokën pemëve. Megjithatë ata harrojnë se teatri me tepër se një art është një qëndrim i njeriut përballë jetës. Ky qëndrim është i shenjtë. Secili është  mbret me vete, ndonëse drita sallash fiken përgjithmonë dhe spektatorët janë gjithnjë e më të rrallë. Teatri është një Kopsht Vishnjash, një kopsht vishnjash i besueshëm. "Kopshti i Vishnjave" vijon të shfaqet nga e enjtja deri të dielën në ora 21.00 në sallën e Teatrit të Metropolit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›