E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apartamente shtetërore për të pastrehët "e pasur"

Në qytetin e Durrësit që prej tre vjetësh kanë përfunduar dy pallate me 48 apartamente për të pastrehët dhe asnjë i pastrehë nuk ka mundur të përfitojë banesën e ndërtuar nga shteti.

Apartamentet janë ndërtuar nga Enti Kombëtar i Banesave për të pastrehët, të cilët nuk kanë mundur t‘i përfitojnë banesat, për shkak se nuk bie dakord Këshilli Bashkiak i Durrësit.

Kryetari i Entit Kombëtar të Banesave, Ilir Proko, deklaroi për "Fiks Fare" se në të gjitha bashkitë e tjera ku janë ndërtuar apartamente nga EKB objektet janë ndarë nga këshillat bashkiakë, ndërsa në Durrës apartamentet qëndrojnë të mbyllura prej vitesh.

Nga viti në vit, për shkak të mospërdorimit janë thyer xhamat e këtyre apartamenteve, janë shkatërruar një pjesë e instalimeve elektrike.

Edhe drejtoresha teknike në Entin Kombëtar të Banesave, znj. Gjinovefa Kraja, konfirmon se nga EKB apartamentet kanë përfunduar së ndërtuari, është kryer regjistrimi i tyre në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, si dhe është bërë kolaudimi, por ndarja e apartamenteve jo, me gjithë kërkesat e vazhdueshme.

Këto vonesa kryetari i Bashkisë së Durrësit, zoti Vangjush Dako, e shpjegon me vonesat në këshillin bashkiak. Gjithashtu, ai pohon se bashkia ka hartuar listat e të pastrehëve, por deri më sot, sipas tij, nuk rezulton që të jetë ndonjë familje e pastrehë që të ketë mundësi për të paguar çmimin e vendosur nga shteti për blerjen e apartamenteve. Megjithatë, kryetari i Bashkësisë së Durrësit na premton se në mbledhjen e ardhshme të këshillit bashkiak do të shqyrtohet ky problem.

Aktualisht, në qytetin e Durrësit numërohen rreth gjashtë mijë të pastrehë. Janë ndërtuar 48 apartamente, që ende nuk u janë ndarë të pastrehëve.

Të pastrehët e Durrësit jetojnë prej 18 vjetësh në disa kabina të vjetra plazhi që ndodhen buzë detit.

Kryeministrit Berisha, kur prezantoi programin e qeverisë së tij në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, premtoi se do të ndërtonte katër mijë apartamente për të pastrehët. Por një muaj përpara mbarimit të mandatit qeverisës, kryetari i Entit Kombëtar të Banesave konfirmoi për "Fiks Fare" se janë ndërtuar vetëm 256 apartamente. Nga këto 39 apartamente janë ndërtuar në Elbasan, në Korçë 40 apartamente, në Fier 24 apartamente, në Gjirokastër 20 apartamente, në Shkodër 84 apartamente dhe në Durrës 48 apartamente.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›