E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtues-banka, kriset bashkëpunimi

Ndërtuesit dhe bankat nuk janë më në kohën e artë të zhvillimit, ku falë marrëveshjeve të ndryshme arrinin realizimin e objektivave kryesorë: shitja e apartamenteve dhe garantimi i kredisë. Prej afro një viti, dy sektorët më vitalë të ekonomisë nuk e gjejnë gjuhën e përbashkët, që për arsye të ndryshme, ia faturojnë njëra-tjetrës. Shoqata e Ndërtuesve ka ngritur me kohë shqetësimin e shtrëngimit të kushteve për të marrë kredi në banka. Ky fenomen, i shfaqur në fundin e 2008-ës, si pasojë e panikut të krizës globale, po jep efekte negative të ndërtuesit, pasi jo vetëm nuk marrin kredi për të zhvilluar aktivitetin, por shtrëngimi i kushteve ul kërkesën e individëve për apartamente. Pretendimet e ndërtuesve kanë kohë që janë bërë publike dhe mendohet që të marrin zgjidhje nga një takim i mundshëm me Shoqatën e Bankave të Shqipërisë. Për bankierët, situata e krijuar në sektorin e ndërtimit nuk ka lidhje shumë me politikën e kredive, sesa me vetë tregun dhe ndikimet nga jashtë. Debati lidhet me tregun në Tiranë, ku është i përqendruar aktiviteti i ndërtimit dhe i zhvillimit bankar. Nëndrejtori i Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, Ilir Hebovija, thotë se një pjesë e vështirësive që po kalon sektori lidhet me mungesën e likuiditetit, si pasojë e shtrëngimit të kushteve për kredi. Ndërkaq, sekretari i Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, Elvin Meka, sqaron se "kriza në ndërtim nuk lidhet aq shumë me mungesën e kredive, sesa me vetë strukturën që ndërtuesit kanë operuar deri tani".

E vërteta!

Mesatarisht çdo vit, ndërtimi rezulton sektori më i kredituar nga bankat, deri në 30 për qind të totalit. Pjesa dërrmuese e kredive lidhet me kërkesën e individëve për pasuri të paluajtshme, ndikuar nga ofertat konkurruese të bankave. Peshë të madhe në shitjen e apartamenteve në Tiranë, edhe pse çmimet vijonin në rritje, kishin marrëveshjet që bankat lidhnin me ndërtuesit, zakonisht kur pallatet nuk ishin me hipotekë. Ky raport duket që nuk funksionon më. Bankave nuk iu intereson shumë se në cilën firmë ndërtimi do të blihet apartamenti ose ambienti ku do të kryhet biznesi, sesa kushtet që ofron kredimarrësi. Kurse ndërtuesit e shikojnë me shqetësim shtrëngimin e kredive, duke parë vështirësi te likuidet për zhvillimin e aktivitetit dhe ecurinë te shitjet. "Sektori i ndërtimit po operon në shumë vështirësi, që lidhen me politikat e qeverisë, por edhe me bankat. Nëse qeveria mban përgjegjësi për taksat, bankat po tregohen të shtrënguara në dhënien e kredive", thotë Hebovija, përfaqësuesi i Shoqatës së Ndërtuesve. Ritmi i kreditimit në vend ka pësuar rënie deri në 20 për qind, nga 70 për qind që ishte dy vite më parë. Për vitin 2008, mësohet se kanë mbetur 4000 apartamente të pashitura, që për ndërtuesit, shkak është bërë edhe politika shtrënguese e bankave për të kredituar individin. Por bankierët nuk janë në të njëjtën linjë me ndërtuesit. "Faktet kanë ndryshuar dhe natyrisht që kriza financiare në botë po jep ndikime indirekte në ekonominë shqiptare. Bankat janë më të kujdesshme, duke ndikuar në uljen e kreditimit. Në këtë situatë, ndërtimit nuk i vjen e keqja nga banka, sesa nga vetë tregu, i cili rregullohet nga kërkesë-oferta", thotë Meka, përfaqësuesi i Shoqatës së Bankave. Sipas Mekës, shitjet e apartamenteve nuk kanë rënë nga ulja e kreditimit sesa nga tendenca në rënie e emigrantëve për të dërguar para. "Janë disa faktorë që nuk lidhen me tregun e brendshëm", thotë Meka. Ndërtimi, edhe pse në krizë, vijon të mos i ulë çmimet e apartamenteve, duke krijuar reagim negativ, si nga qeveria, ashtu edhe nga bankat. Hebovija pranon se çështja e çmimit të lartë rregullohet nga vetë tregu dhe nuk ka lidhje me planin e ndërtuesit. Përgjigjja e bankave në këtë situatë është: ndërtuesit të ulin çmimet që të krijojnë mundësi likuiditeti. Në një kohë që deklarohet prag falimenti, marrja e kredisë bëhet akoma e më e vështirë, kur nga ana tjetër, fakti që çmimet mbeten të larta, për apartamente që kanë dy vjet pa shitur, nënkupton se sektori nuk paraqitet edhe aq në krizë. Sa për bankat, për aq kohë sa kanë tregun e bonove, nuk kanë ndërmend ta zbusin politikën në drejtim të kredive.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›