E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti, shpërndarja për tre vitet e ardhshme

Zgjedhjet lokale të 2011-ës, parashikohet të kushtojnë rreth 60 milionë lekë më shumë se zgjedhjet e këtij viti


Buxheti afatmesëm 2010-2011, parashikon rritje pagash për thuajse të gjithë institucionet e shtetit

Për tre vitet e ardhshme, buxhetet e institucioneve të shtetit shqiptar do të pësojnë një rritje graduale. Buxheti afatmesëm 2010-2012, parashikon një rritje në paga dhe investime për të gjithë institucionet, përfshi ministritë dhe ato të drejtësisë. Për Presidencën, buxheti i vitit të ardhshëm parashikon 91 milionë lekë për zërin e pagave dhe kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Buxheti i pagave parashikohet të arrijë në 95 milionë lekë në vitin 2011 dhe 105 milionë në 2012-ën. Pra, një rritje prej 14 milionë lekë vetëm në këtë zë, brenda tre viteve në vazhdim. Ndërsa totali i buxhetit, nga 189 milionë që parashikohet të jetë vitin e ardhshëm, do të shkojë në 212 milionë lekë.
Kuvendi do të ketë një fond pagash prej 533 milionë lekësh vitin e ardhshëm. Në vitin 2012 ky fond parashikohet të shkojë në 607 milionë lekë. Buxheti total i Kuvendit, në tre vite parashikohet të rritet gradualisht, ku në 2010-ën ai do të jetë 978 milionë dhe në vitin 2012 do të shkojë në rrëth 1.1 miliard lekë.
Këshilli i Ministrave do të ketë një fond pagash prej 182 milionë lekësh në 2010-ën, për të arritur në 209 milionë në vitin 2012-ën. Totali i buxhetit, ku përfshihen edhe investimet, do të jetë 393 milionë lekë vitin e ardhshëm, dhe në 2012-ën do të shkojë në 441 milionë.
Prokuroria e Përgjithshme do të ketë një fond pagash prej 900 milionë lekësh për vitin 2010, ndërsa në 2012-ën, ky fond do të arrijë në pak më shumë se 1 miliard. Buxheti total i këtij institucioni për vitin e ardhshëm, parashikohet në 1.24 miliardë lekë dhe në vitin e fundit të buxhetit afatmesëm, në 1.43 miliardë.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të përfitojë një rritje në shpenzimet për paga prej 7 milionë lekësh në tre vitet e ardhshme. Në vitin 2010, KLD-ja do të ketë në dispozicion 53 milionë lekë për pagat dhe në vitin 2012, ky fond do të arrijë në 60 milionë. Totali i buxhetit që do të menaxhojë ky institucion për vitin 2010, do të jetë 86 milionë, nga 77 milionë që ka këtë vit. Në vitin 2012, totali i buxhetit do të arrijë në 96 milionë lekë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të ketë një buxhet në rritje graduale gjatë tre viteve, por më pak se është lënë në dispozicion për vitin 2009. Gjatë këtij viti ai ka rreth 6 milionë dollarë vetëm për punonjësit që do të angazhohen për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Në total, për 2009-ën, KQZ-ja ka 695 milionë lekë. Për vitin e ardhshëm, buxheti total i KQZ-së do të jetë 142 milionë lekë dhe për 2012-ën, 157 milionë. Ndërkohë, për zgjedhjet lokale të vitit 2011, buxheti do të jetë rreth 750 milionë lekë, ose 55 milionë lekë më shumë sesa për zgjedhjet e këtij viti.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›