Apartamentet, qytetarët u thonë “lamtumirë” hipotekave
Qytetarët do t’u thonë “lamtumirë” zyrave të hipotekës, kur dëshirojnë të shesin apo blejnë një pasuri të paluajtshme. Ndryshimet e miratuara së fundmi në ligjin “Për noterinë” revolucionarizojnë tërësisht mënyrën e ndryshimit të pronësisë për apartamentet. I ftuar në emisionin “Elite Business” në RTV SCAN, ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, shpjegoi hollësisht sesi do të veprojnë qytetarët, duke nisur nga marsi i vitit të ardhshëm. Ndryshimet në ligj kanë rregulluar edhe mënyrën e kalimit të parave nga blerësi te shitësi i një apartamenti. Tashmë paratë do të depozitohen nga blerësi në llogarinë e noterit dhe vetëm pasi të jenë përfunduar procedurat do të kalojnë në duart e shitësit. Halimi bëri të ditur se kanë përfunduar procedurat për hipotekimin e dhjetëra pallateve, pas memorandumit mes Qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës. Krahas ndryshimit të ligjit “Për noterinë” dhe memorandumit me Bashkinë e Tiranës, Ministria e Drejtësisë ka hartuar një projektligj që ndryshon tërësisht edhe mënyrën e hipotekimit të pallateve të rinj që do të ndërtohen. Në bazë të këtyre ndryshimeve, qytetarët do të mund të hipotekojnë kontratën e lidhur me ndërtuesit, edhe në rast se pallati nuk ka përfunduar. Kështu, disa funksione që i kishte më parë Zyra e Regjistrimit të Pasurive, tani, për të shkurtuar kohërat për biznesin dhe qytetarët, i merr përsipër institucioni i noterisë, i cili është i lidhur on-line me të gjitha institucionet e tjera, duke reduktuar nga 5 hallka dhe 21 ditë kohë, në dy hallka dhe një punë të kryer brenda një momenti të shkurtër. Gjithashtu, parashikohet që në rastet e tjetërsimit të pasurisë së paluajtshme tregohen verifikimi i noterit në regjistrin elektronik të pasurive të paluajtshme, si dhe mënyra e derdhjes së çmimit të tjetërsimit në llogarinë bankare të tij.