FMN: Shqipëria e prekur nga kriza, të ulë borxhin dhe rrisë taksat

“Ballkani perëndimor reflekton shenjat e para të krizës botërore përmes rënies së ndjeshme të eksporteve”. Ky konfirmim ka ardhur përmes një raporti për impaktet e krizës në Europën Juglindore të lëshuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Në raportin e FMN-së konfirmohet rënie e ndjeshme e eksporteve në gjashtë vende të Europës Juglindore, ndër të cilat edhe Shqipëria. Ndër të tjera thuhet se
shtete si Shqipëria, Serbia, Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Maqedonia dhe Mali i Zi kanë shfaqur pamundësi për të financuar borxhin e jashtëm, defiçitin buxhetor dhe atë tregtar, një tregues ky i pasojave të krizës financiare globale.
Në raport theksohet gjithashtu se varësia e ekonomive të këtyre vendeve nga kapitali i huaj ka bërë që efektet e krizës globale të japin ndikimin në shumë sektorë, duke prekur në mënyrë direkte financimin nga qeveria të projekteve, që kanë të bëjnë me shpenzimet publike.
Një tjetër tregues i panikut, që ka mbërthyer këto vende, sipas FMN-së, është edhe fenomeni në rritje i tërheqjes nga bankat e nivelit të dytë të depozitave në valutë të huaj.
Ndonëse Shqipëria përmendet si një nga vendet me tregues pozitiv të rritjes ekonomike, që prej vitit 2009, parashikimet për ecurinë e ekonomisë shqiptare muajt e ardhshëm janë të zymta si rezultat i situatës në vendet e eurozonës.
Fondi Monetar Ndërkombëtar e cilëson Shqipërinë si një vend të besueshëm për investitorët e huaj, por thekson se në vitin 2007, Shqipëria regjistroi nivele shumë të larta të defiçitit tregtar dhe borxhit publik.
Raporti thotë se shumë shpejt edhe Shqipëria e Kroacia mund të ndjekin shembullin e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovines, duke marrë masa drastike për shkurtimin e shpenzimeve dhe shtim të taksave.