E Diel, 1 Nëntor 2026

Pret damarët me brisk, në depresion nga zhdukja e djalit

26/11/2004  FIER/ Vret veten pas disa tentativash 55-vjeçarja Nimete Aliaj

Një 55-vjeçare ka arritur dje “më në fund”, rreth orës 06.30, t’i japë fund jetës së saj, pas disa tentativash të dështuara më parë. Nimete Aliaj, 55 vjeçe, banore e fshatit Ferras, në rrethin e Fierit, ka vdekur duke prerë damarët me brisk. Vetëm një ditë më parë kishte qenë nusja e djalit, që kishte shmangur vetëmbytjen e saj në lumin Vjosa.

Bashkëshorti i viktimës, Enver Aliaj, tregon në një intervitë për gazetën “Metropol”, se që prej zhdukjes së djalit të tyre, në korrik të këtij viti, Nimetja kishte pësuar një depresion të thellë.

Cili mendoni ju se ka qenë shkaku i vetëvrasjes së bashkëshortes tuaj?

Streset dhe hallet e jetës të rrëzojnë përtokë. Nuk mjafton vetëm vdekja e gruas, pasi ajo iku dhe nuk kthehet më, por qaj hallin dhe të djalit tim, Altinit, i cili rezulton i zhdukur qysh prej 4 muajsh. Kjo zhdukje mendoj se është edhe shkaku që çoi drejt vetëvrasjes bashkëshorten time.

Ka pasur më parë shqetësime shëndetësore, apo edhe nervore bashkëshortja juaj?

Jo, sigurisht që jo, unë nuk do të martohesha me një të çmendur. Ishte një grua e zonja dhe një nënë e mirë. Kishte një gjë, ishte shumë e ndjeshme, trishtohej për çdo gjë të keqe që dëgjonte. Ndaj, mendoj unë, nuk e ka përballuar dot stresin e zhdukjes së djalit.

Sa kohë kishte që ajo shfaqte shqetësime nervore?

Që prej katër muajsh, që nga korriku, kur edhe u zhduk djali ajo qante, mbyllej në vetvete, thoshte se do të vriste veten. ‘Iku djali, do iki dhe unë’, thoshte. Ikte natën nga shtëpia dhe kur kthehej më pyeste. ‘Hë u kthye Altini?’ Muajin e fundit u keqësua, kur na thanë në Komisariatin e policisë së Vlorës që nuk dinin gjë për zhdukjen e djalit. Që atëherë e shtruam në spitalin psikiatrik të Vlorës, ndërsa ajo sa vinte e keqësohej.

Kur dhe në çfarë rrethanash është zhdukur djali juaj?

Jemi të varfër, si çdo familje në fshat. Nuk na del hesapi. Për më tepër të ardhura, djali kishte gjetur disa familje në Vlorë, ku tregtonte qumështin me një motor. Edhe atë mëngjes iku si zakonisht për të shitur qumështin dhe që prej atëherë nuk e kemi pamë më me sy.

Vuante nga ndonjë sëmundje djali juaj?

Jo. Absolutisht nga asgjë. Ishte i martuar dhe kishte edhe dy fëmijë. Nusen dhe fëmijët ende i kam në shtëpi, pasi Altini ishte djali i vogël dhe me atë rrinim. Djalin tjetër e kam të martuar dhe të ndarë prej nesh, në shtëpi më vete.

Jeni interesuar dhe çfarë ju kanë thënë në Komisariatin e Policisë së Vlorës?

Ende asgjë nuk na kanë thënë. Vazhdojmë ta kërkojmë, na thonë, asgjë tjetër. Kjo gjendje është bërë e padurueshme dhe e kishte rënduar më shumë shëndetin e gruas sime, e cila donte të vdiste para se të mësonte ndonjë mandatë, siç thoshte ajo.

Zhdukja e djalit solli depresionin

FIER - Ajo që e ka traumatizuar dhe shtyrë drejt vetëvrasjes 55-vjeçaren, ka qenë zhdukja e djalit të saj Altinit 30-vjeçar, i martuar dhe me dy fëmijë ende të vegjël.

Para zhdukjes, Altini merrej me punë të vogla bujqësie dhe blegtorie dhe për të siguruar disa të ardhura më shumë për familjen e tij shiste qumësht në Fier, ose në Vlorë.

Ditën e zhdukjes, katër muaj më parë, në korrik, Altini kishte dalë nga shtëpia si zakonisht në mëngjes herët për të shitur qumësht në Vlorë, ndërsa familja më kot e ka pritur atë në drekë, në darkë, por edhe ditët e mëvonshme. Pas kërkimeve te të afërmit, familja ka bërë edhe denoncim në Komisariatin e Policisë së Vlorës, në territorin e së cilit ishte parë për herë të fundit, por pa mundur të mësojnë diçka më shumë për fatin e tij.

1

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›