Apec, tërhiqet nga marrëveshja për mbrojtjen e klimës
Klima, kriza ekonomike, domosdoshmëria e modeleve të reja të zhvillimit dhe çështja e armëve bërthamore kanë qenë temat me të cilat Barak Obama është përballur në Samitin e Azi-Paqësorit në Singapor, në etapën e dytë të turit aziatik që do ta çojë edhe në Kinë dhe Korenë e Jugut. Në Singapor, për herë të parë një President amerikan është gjendur në të njëjtën dhomë me një përfaqësues të lartë të juntës birmaneze, Kryeministrin Thein Sein, me të cilin ka diskutuar për lirimin e menjëhershëm të fitueses së çmimit "Nobel" për paqen, San Suu Kyi. Klima ishte një tjetër argument i fuqishëm, me të cilën u përball Obama në Singapor. Presidenti amerikan shprehu mbështetjen ndaj propozimit të Kryeministrit danez, Lars Lokke Rasmussen, për një marrëveshje në dy kohë mbi çështjen e klimës: një marrëveshje politike në konferencën e Kopenhagenit muajin tjetër, pasuar nga një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme. Obama, që mori pjesë në mbledhjen jashtë programit bashkë me Presidentin kinez Hu Jintao dhe lider të tjerë pjesëmarrës në forumin ekonomik të Azi-Paqësorit, nënvizoi rëndësinë e madhe që konferenca e Kopenhagenit "të mbyllet me sukses". Megjithatë konsensusi, përveç impenjimit për të kërkuar një rezultat ambicioz në Kopenhagen nuk ka prodhuar objektiva konkretë për reduktimin e gazrave që shkaktojnë efektin serë. Liderët botërore, mes të cilëve edhe Kryeministri danez, Lars Lokke Rasmussen, ku do të zhvillohet konferenca për klimën, kanë konstatuar se do të jetë e pamundur të nënshkruhet në Kopenhagen një traktat i ri mbi ngrohjen globale, i detyrueshëm për 192 vende që do të jenë të pranishëm në kryeqytetin danez, duke parë divergjencat e thella që ekzistojnë mes vendeve të pasura dhe atyre të varfra mbi atë çka duhet të bëjnë. Me fjalë të tjera, nuk do të ketë asnjë marrëveshje për shkurtimin e emetimeve të dyoksidit të karbonit në takimin e Kopenhagenit që do të mbahet në Danimarkë muajin tjetër. Deklasimi brutal i atij samiti të shumëpritur për luftën kundër ndryshimeve klimaterike, u raportua pas një marrëveshjeje nga SHBA dhe Kina të bërë në Singapor në Samitin e vendeve të Azi-Paqësorit. Jashtë programit, në Singapor u organizua një mëngjes pune mes liderëve të pranishëm për të diskutuar për ambientin. Me urgjencë u thirr edhe Kryeministri danez Lars Rasmussen, pasi dihet që samiti i shumëpritur dhe i diskutuar për klimën do të mbahet në Danimarkë nga data 7 deri më 18 dhjetor. Rasmussen luajti vetëm rolin e spektatorit në këtë mbledhje, ku të mëdhenjtë e botës arritën në përfundimin se në Kopenhagen nuk do të merret asnjë vendim. Edhe objektivi për të shkurtuar me 50 për qind emetimet e CO2 brenda vitit 2050, u zhduk nga dokumenti final i Samitit të Apec-ut, ku figuronte në fillim. Lajmi u bë i ditur nga Michael Froman, ekspert i ekonomisë ndërkombëtare në "National Security Council" dhe këshilltar i Barak Obamës. "Pati një konstatim nga ana e liderëve se është jo reale dhe e pamundur të pritet një marrëveshje brenda 22 ditëve për klimën. Negociatat përjashtuan mundësinë e një marrëveshjeje brenda një kohe kaq të shkurtër. Por është e rëndësishme të theksohet se konferenca e Kopenhagenit do të jetë një hap i rëndësishëm". Samiti i dhjetorit në Danimarkë ishte cilësuar nga disa liderë shtetesh në Uashington si një "pikë nisjeje, por jo destinacioni përfundimtar". Vështirësia për të marrë vendime të detyrueshme nga ana ligjore brenda dhjetorit pritej. Megjithatë liderët botërorë janë të ndërgjegjshme se do të jetë e nevojshme të arrijnë një marrëveshje politike, për t‘i shtyrë vendimet përfundimtare në një konferencë të re që ka shumë gjasa të zhvillohet në qytetin e Meksikos. Me pak fjalë, një zgjidhje në dy kohë për të shmangur një dështim në Kopenhagen. Po ashtu, në Singapor, Presidenti Barak Obama i ka kërkuar autoriteteve birmaneze lirimin menjëhershëm të fitueses së çmimit "Nobel" për paqen, Aung San Suu Kyi, një kërkesë kjo që ishte paralajmëruar në prag të udhëtimit në Azi të Presidentit amerikan. Obama në këmbim të lirimit të nobelistes thotë se do t‘i japë fund sanksioneve kundër Birmanisë. Sipas lajmit që u bë publik nga Shtëpia e Bardhë, ai e bëri kërkesën gjatë takimit me liderët e dhjetë vendeve të Azi-Paqësorit që përfshin edhe Birmaninë. Në takim mori pjesë edhe Kryeministri britanik Thein Sein. Aktualisht liderja e opozitës gjendet në arrest shtëpie në Rangoon dhe është privuar nga liria 14 nga 20 vitet e fundit. Presidenti Obama kishte kërkuar që në fjalimin e tij në Tokio "lirimin pa kusht të të gjithë të burgosurve politikë, përfshi Aung San Suu Kyi". Po ashtu, edhe çështja bërthamore dhe Irani ishin pjesë e diskutimeve mes Presidentit rus Dmitri Medvedev dhe Obamës në samitin e Apec-ut. "Koha për zgjidhjen e krizës me Iranin në bazën e dialogut ‘është duke mbaruar‘", ishte mendimi i të dy presidentëve. Obama tha se "fatkeqësisht Irani nuk ishte në gjendje të pranonte një marrëveshje të gjykuar nga kushdo si kreative dhe konstruktive". Presidenti Medvedev u shpreh se "koha po mbaron". Ai nuk e përjashtoi mundësinë e përdorimit të mjeteve të tjera. Pas takimit të Gjenevës, bisedimet me Iranin duket se kanë ngrirë. Presidenti amerikan, Barak Obama, dhe homologu i tij rus, Dmitri Medvedev, thanë se kanë ende në plan që deri në fund të vitit të zëvendësojnë traktatin për pakësimin e armëve bërthamore.