E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kostot e tepërta, shqiptarët dorëzojnë kartat elektronike

Presioni i vazhdueshëm për të paguar për kartat elektronike të bankave edhe kur nuk përdoren, i kë detyruar shqiptarët që t‘i kthejnë ato në një masë të konsiderueshme. Sipas Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, nga janari deri në shtator 2009, plot 193 mijë karta krediti dhe debiti janë kthyer mbrapsht nga klientët. Deri në fund të shtatorit në Shqipëri kishte 514 mijë karta debiti dhe 27 mijë karta krediti, ndërkohë që në shtator 2008 qenë 707 mijë karta debiti dhe 17 mijë karta krediti. Rënia në bazë vjetore qe rreth 27 për qind, ku fluksi më i madh i dorëzimit të kartave u shënua në muajt e parë të këtij viti. Pasi tërhoqën një numër të madh shqiptarësh drejt produkteve të veta, duke reklamuar emetim kartash bankare pa komisione, shumica dërrmuese e bankave vendosën vitin e kaluar një komision mujor prej mesatarisht 100-150 lekësh për kartën dhe 100 lekë të tjera për mirëmbajtjen e llogarisë rrjedhëse. Nën stresin e rënies së fitimeve si pasojë e krizës, disa prej bankave i dyfishuan komisionet mujore dhe në shumë raste nuk e morën mundimin as t‘i informonin klientët për këtë ndryshim. Tendenca e rënies së përdorimit të kartave bankare ka filluar që nga mesi i vitit 2008. Sipas një raporti të Bankës së Shqipërisë, shumica dërrmuese e transaksioneve me karta përbëhet nga tërheqja e parave në bankomat, ndërsa përdorimi i kartave për pagesa në terminalet e shitjeve POS zë më pak se 2 për qind të totalit të veprimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›