E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, biznesi: Qeveria të marrë masat, situata mund të përkeqësohet

Duket se biznesit po i soset durimi. Në kushtet e mungesës së likuiditetit, e më tej të rënies së xhiros, shumë subjekte po operojnë në kushte tepër të vështira. Sikur të mos mjaftonte kjo, qeveria ka ndërprerë edhe tenderët për investime, që konsiderohen burim i konsiderueshëm fitimi për sipërmarrjen private. Duke parë situatën e cila nuk po ndryshon, bizneset e mëdha në vend, ato industrialistë, parashikojnë një ekonomi të zymtë dhe me pak shanse për rimëkëmbje të shpejtë.

Konfindustria, bazuar në të dhënat e deritashme të sjella pranë saj nga industritë kryesore të vendit dhe nga të dhënat e përgjithshme makroekonomike për 9-mujorin e vitit 2009, parashikon prirje rënëse të zhvillimit ekonomik të vendit dhe prodhimit të përgjithshëm (PPB) për periudhën e mbetur 2009, nëse do të marrim si të njëjtë treguesit kryesorë ekonomikë të së njëjtës periudhë të vitit 2008. "Shfaqjet më të prekshme të parashikimit të mësipërm do të jenë rënia e nivelit të shitjeve, mungesa e likuiditetit dhe rënia e fuqisë konkurruese të prodhimit vendor ndaj mallrave dhe shërbimeve të importit", deklaroi dje Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustrias.

Industritë kryesore të vendit janë ndeshur me probleme të rënies së treguesve "të shitjeve" dhe mungesë "likuiditeti" gjatë periudhës së 6-mujorit të parë të vitit financiar 2009.

Duhet mbajtur parasysh se mungesa e ndjeshme e likuiditetit për mjaft industri në periudhën në fjalë ndodh në kushtet e një deficiti buxhetor, mjaft herë më e lartë sesa në të njëjtën periudhë të vitit pararendës, si pasojë e shpenzimeve publike të rritura të kryera gjatë vitit zgjedhor. "Kjo do të thotë, se pjesa e mbetur e vitit 2009, si pasojë e shpenzimeve publike tashmë të kryera në shumicë dërrmuese në gjysmën e parë të vitit dhe domosdoshmëria për të ruajtur deficitin buxhetor të parashikuar, do të rëndojnë më tej shtimin e masës së kërkesës të pambuluar për likuiditet të ekonomisë dhe industrive shqiptare në përgjithësi", analizon Buxhuku.

Si rrjedhojë, Konfindustria kërkon nga qeveria dhe aktorët politikë që të hartojnë një paketë masash të domosdoshme, që duhen marrë për t‘u përballur me zhvillimet në ekonominë shqiptare. Biznesi kërkon në thelb mbështetjen e prodhimit vendor dhe rritjen e sasisë së parave, që pa arsye vazhdojnë të largohen në mënyrë shqetësuese nga tregu shqiptar.

a.kola

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›