E Diel, 1 Nëntor 2026

Apel BE-së: Mos e lini Kosovën geto

Shoqëria Civile e Kosovës i ka drejtuar një apel parlamentarëve të Bashkimit Europian të shqyrtojnë çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, sepse në të kundërtën vendi mund të shndërrohet në një "geto vizash" pa kurrfarë rrugëdaljeje. Në një konferencë me gazetarë, organizatorët treguan se apelin do ta dorëzojnë edhe në shumë institucione e media ndërkombëtare.

"Ne, europianët e brengosur që jetojmë në Kosovë, e mirëpresim propozimin e KE-së që t‘i lejojë qytetarët e Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi të udhëtojnë pa viza në BE nga fillimi i vitit 2010. Së shpejti, shpresojmë që edhe Shqipëria e Bosnja do ta gëzojnë një gjë të tillë, por shqetësohemi që Kosova ka mbetur jashtë këtyre proceseve", u shpreh Luan Shllaku, nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur, i cili e lexoi apelin. Shllaku shtoi se janë të vetëdijshëm që shtetet anëtare të BE-së nuk pajtohen në lidhje me statusin e Kosovës, mirëpo lënia e qytetarëve të Kosovës pa marrë parasysh etninë, në një "geto vizash", kur i gjithë Ballkani, nga Adriatiku e deri në Detin e Zi, do të mund të udhëtojnë lirshëm, është një politikë katastrofale. Sipas tij, Bashkimi Europian duhet të ofrojë një udhërrëfyes që çon drejt liberalizimit të vizave për kosovarët. "Nëse nuk u dashka konsensusi i të gjitha vendeve anëtare të BE-së për ta vendosur Kosovën në listën e zezë të ‘Shengenit‘, atëherë nuk do të duhej konsensus as për ta futur atë në listën e bardhë të ‘Shengenit‘. Natyrisht, nëse Kosova i plotëson kushtet e nevojshme", theksoi Shllaku.

Ndërkaq, kryetari i Klubit për Politikë të Jashtme, Veton Surroi, tha se liberalizimi i vizave është edhe çështje e lëvizjes së lirë në Ballkanin Perëndimor e më gjerë, ku Kosova, sipas tij, do të jetë e izoluar edhe në çështje tjera integrative. Ai tha se mjafton një vizitë para ambasadave në Shkup apo në Kosovë për të parë si ka degraduar qasja ndaj qytetarëve të Kosovës. "Sot jemi shumë më keq se para 10 apo 15 vjetësh", tha Surroi. Çështje tjetër, sipas tij, është ajo e sigurisë. "Fakti që Kosova do të izolohet është një pasiguri, sepse vetëm ndjenja për një gjë të tillë krijon ndjenja negative, e po ashtu, edhe ata që merren me krimin e organizuar në gjithë Ballkanin kanë viza me shumë hyrje, ndërkaq qytetarët e rëndomtë nuk mund ta gëzojnë këtë të drejtë. Me këtë arsyetim nuk mund të ndalet krimi i organizuar", citon Surroin "Kosova Live".

Verena Knaus, drejtoreshë ekzekutive e Iniciativës Europiane për Stabilitet, tha se procesi i liberalizimit të vizave i shqetëson shumë njerëzit në rajon, por edhe në vendet anëtare të BE-së. Ajo shtoi se ka pasur shqetësime mbi faktin se pse viktimat e luftës në Bosnjë dhe Kosovë nuk po përfshihen në procesin e liberalizimit të vizave, ndërsa të tjerë që kanë bërë krime po përfshihen në këtë proces. Knaus theksoi se, për të pasur një liberalizim të vizave, vendet duhet t‘i plotësojnë kriteret teknike të Komisionit Europian dhe fatkeqësisht Kosova e Bosnja nuk i kanë plotësuar. Sipas saj, para liberalizimit të vizave duhet t‘i marrim në konsideratë shqetësimet e banorëve të vendeve anëtare të BE-së, të cilat kanë të bëjnë me migrimin ilegal, aspektin e sigurisë, dokumentet civile, pasaportat etj. "Mungesa e njohjes nga të gjitha vendet anëtare paraqet një problem tjetër për liberalizimin e vizave", shtoi ajo.

Apelin drejtuar parlamentarëve europianë, përveç shqiptarëve, e kanë nënshkruar edhe përfaqësues të komuniteteve të tjera që jetojnë në Kosovë, përfshirë Rada Trajkoviçin, nënkryetare e Këshillit Kombëtar të Serbëve të Kosovës.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›