E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Vodafone Albania" sjell DJ Tiesto në Shqipëri

Jemi në zemër të stinës së verës dhe argëtimi është kryefjala e saj... Duket se për një natë, plazhi mahnitës i Dhërmiut do të shndërrohet në arenën më magjike të Mesdheut. "Vodafone Albania" ka bërë të mundur që Tiesto, Dee-Jay holandez me famë botërore, të performojë për herë të parë live për fansat e tij shqiptarë në datën 6 gusht, në "Havana Beach Club", Dhërmi. Pas një turneu të gjatë në brigjet e Mesdheut, Tiesto vjen për të performuar në një nga klubet verore më në modë të rivierës shqiptare, për të vazhduar më pas përgjatë klubeve më të famshme të Evropës.

Përveç mbështetjes për zhvillimin e një eventi kaq madhor, kompania "Vodafone Albania" ka menduar për klientët e saj, duke dhuruar një numër prej 280 biletash për këtë event. Prej datës 20 deri më 30 korrik, përmes pjesëmarrjes në emisionet radiofonike, "Një Këngë për Ty" në "Top Albania Radio" dhe "Pingpong" në radio "NRG", 110 të rinj që festojnë ditëlindjen më 6 gusht kanë mundësinë të gëzohen me nga dy bileta që do t‘u japin mundësinë të ndjekin DJ Tiesto live. Gjithashtu, rreth 60 bileta do t‘iu dhurohen të rinjve që do të marrin pjesë në lojërat të cilat do të organizohen nga skuadra "Vodafone" në plazhin e Dhërmiut.

I konsideruar si "DJ më i mirë në botë" për 3 vite rresht nga "Dee-Jay Magazine", Tiesto ka mjaft arritje në karrierën e tij. Ndër to vlen të përmendim lojërat olimpike "Athinë 2004", marrja e urdhrit "Orange-Nassau" nga Mbretëresha Beatris e Holandës, çmimi "Best Solo Artist" në "International Dance Music Awards" në Miami etj. Albumet e tij: "In My Memory", "Just Be", "Parade of the Athletes" dhe "Elements of Life" janë ndër më të shiturit në tregjet e muzikës elektronike, ndërkohë që në shtator artisti do të hedhë në treg albumin e tij më të ri, këngët e të cilit do të mund t‘i dëgjoni live për herë të parë në "Havana Beach Club", në Dhërmi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›