E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apel për familjet me asistencë

 

KOPLIK - Ndërsa numri i familjeve që kërkojnë të trajtohen me ndihmë ekonomike në qytetin e Koplikut në rrethin e Malësisë së Madhe vjen në rritje, fondi i vënë në dispozicion për këtë nga qeveria jo vetëm nuk shtohet, por është mjaft i vogël. Shqetësimin e bën publik vetë kryetari i Këshillit Bashkiak të Koplikut, Ardian Hysa. Ai shprehet se aktualisht në qytetin e Koplikut me rreth 12 mijë banorë trajtohen me ndihmë ekonomike 400 familje, ndërkohë që çdo muaj janë edhe 30-50 familje të reja që paraqiten para zyrave përkatëse në Bashkinë e Koplikut dhe kërkojnë të trajtohen me këtë ndihmë. Por fondi i akorduar nga qeveria shqiptare është vetëm 1 milion lekë në muaj dhe ai nuk ka ndryshuar prej kohësh. Sipas Hysës, me gjithë kërkesat e bëra për rritje të fondit të kësaj bashkie për këtë qëllim, asgjë nuk është bërë gjer tani, ndërsa shteti nuk e mban parasysh faktin se në këtë njësi të qeverisjes vendore vendosen çdo muaj familje të reja që vijnë nga zonat e tjera të rrethit, kryesisht nga ato malore. Aktualisht shuma e parave me të cilën trajtohen me ndihmë ekonomike familjet në qytetin e Koplikut është 1600-4200 lekë në muaj, sipas numrit të pjesëtarëve të familjes.          r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›