E Diel, 1 Nëntor 2026

Tension mes shqiptarëve e serbëve në Mitrovicë, Gjakovë

 

Marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve, kryesisht në pjesën veriore të Kosovës, janë të tensionuara me tubime e përballje të vazhdueshme mes grupeve të dy etnive për shkak të konfliktit të ndërtesave. Sipas autoriteteve të rendit, mes gjithë këtij tensioni, lajmi i mirë është se nuk ka pasur incidente. Epiqendra e përballjeve mbetet lagjja “Kroi i Vitakut”. Serbët vazhdojnë të pengojnë banorët shqiptarë në rindërtimin e shtëpive të tyre, dhe dy palët rezervohen nga përshkallëzimi i konfliktit deri në kontakt fizik e dhunë vetëm nga prania e përqendruar e policisë së EULEX-it dhe asaj të Kosovës. Banorët shqiptarë akuzojnë serbët për pengimin e punës së tyre, por edhe komandën veriore të policisë së Kosovës, e cila drejtohet nga serbët, se është e përfshirë në pengimin e ndërtimit të shtëpive të tyre. Sipas tyre, policia nuk i ka penguar serbët që të pozicionohen në pronat e shqiptarëve ku po kryhen punimet. Zëdhënësi i policisë së Kosovës, Arbër Beka, thotë se janë duke u zhvilluar disa hetime të brendshme për të vërtetuar nëse komanda në veri ka marrë vendime të shkëputura nga zinxhiri komandues apo jo. “Në rast se rezultatet e këtij vlerësimi tregojnë se ka pasur ndonjë devijim sa i përket zinxhirit komandues, atëherë do të formohet një ekip i veçantë hetimor, ose rasti do të përcillet tek Inspektorati Policor i Kosovës”, tha ai. Autoritetet vendore dhe ato ndërkombëtare po përpiqen të gjejnë një zgjidhje që banorët serbë të tërhiqen dhe të lejojnë banorët shqiptarë t’i vazhdojnë punimet. Tension ka pasur edhe në Gjakovë, ku shqiptarët kanë qëlluar me gurë një delegacion prej rreth 80 serbëve të zhvendosur, që vizituan dje këtë komunë. Delegacioni ishte nisur nga Beogradi dhe në territorin e Kosovës është përcjellë nga forcat e policisë deri në kishën ortodokse në Gjakovë, ku ka kryer disa rite fetare. Situata është tensionuar kur grupe të qytetarëve kanë qëlluar me gurë automjetet e delegacionit serb. Banorët e Gjakovës kanë urrejtje të bartur prej vitesh kundrejt serbëve, pasi ky qytet karakterizohet me numrin më të madhe të të pagjeturve që në kohën e luftës.

“Serbia, më konstruktive ndaj Kosovës”
Sipas agjencisë së lajmeve AFP, Franca i ka tërhequr vërejtjen Serbisë se, nëse dëshiron që Parisi ta mbështetë synimin e saj për integrim në BE, duhet të ketë një sjellje më “konstruktive” lidhur me sovranitetin e Kosovës. Ministri francez për çështje evropiane, Pjer Lelush, u takua në Paris me zv.kryeministrin e Serbisë, Bozhidar Gjeliç. Lelush “ka ftuar Beogradin që të adoptojë një qëndrim konstruktiv për Kosovën... e të tregojë më tepër realizëm për një pajtim eventual, derisa vendet e tjera evropiane e kanë bërë”, thuhet mes të tjerash në deklaratë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›