Qëlloi mbi furgon, mister autori
BURREL - Ngjarja e dy ditëve më parë, kur dy gra u plagosën me armë zjarri gjatë udhëtimit të tyre nga Burreli për në fshatin Shëlli shokoi jo vetëm të afërmit e tyre, por dhe banorët e këtij rrethi. Rikthimi i njerëzve të armatosur në rrugët rurale ngriti në këmbë efektivët e policisë së rrethit të Matit, por ende nuk ka një version të qartë për ngjarjen dhe as për autorin e saj. As policia dhe organi i akuzës nuk kanë arritur ende të "piketojnë" autorin e ngjarjes së rëndë, ku mbetën të plagosura nënë e bijë, Zahide e Ensuida Mata. Burime jozyrtare sqarojnë se janë shoqëruar 3 të rinj, banorë të komunës së Lisit, por nuk mund të thuhet se ata ishin autorët e ngjarjes kriminale. Tani policia nuk po heton vetëm në versionin e mundshëm të konfliktit për çështje konkurrence, por edhe në pista të tjera, të cilat aktualisht mbahen sekret nga policia. Gjatë marrjes në pyetje të shoferit të furgonit, Gëzim Mata, ai është shprehur se nuk kishte konflikt me ndonjë person, duke bërë që policia të dyshojë për konkurrencë nga persona të tjerë që kryenin të njëjtën linjë. Ndërkohë mësohet se dy gratë e plagosura në pritë janë jashtë rrezikut për jetën. h.p