E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapet në Greqi, autori i masakrës së "Qafë Gjashtës"

 

GREQI - Policia greke arrestoi mëngjesin e djeshëm të shumëkërkuarin e drejtësisë shqiptare, Arben Këndezi, i akuzuari kryesor për masakrën e "Qafë Gjashtës", më 4 mars të vitit 1997. Aksioni i policisë greke u krye në vendin e quajtur Lutraqi, 70 kilometra në veri-perëndim të Athinës, ku ai jetonte 10 vitet e fundit që ndodhej në arrati. Sipas të dhënave nga Interpoli, Këndezi po hetoj për trafik të lëndëve narkotike. Prej kontrolleve të ushtruara në banesën e tij nuk u gjet asnjë material komprometues që ta vërtetonte këtë akuzë. Kanë qenë fotot e tij me armë në dorë, gjatë trazirave të viteve 1997 dhe tetë gëzhoja kallashnikovi të përdorura, që shtuan dyshimet e agjentëve të policisë. Nga verifikimet e shenjave të gishtave ata mundën të zbulojnë identitetin e tij të vërtetë. Arben Këndezi njihet si një ndër të fortët e Sarandës gjatë viteve 1997-1998. Ai akuzohet për torturimin e një agjenti policie, në të ashtuquajturën masakra e "Qafë Gjashtës", madje për këtë ngjarje Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar një vit më parë masën e sigurisë "arrest me burg". Po ashtu ai është dënuar nga Gjykata e Vlorës me 6 vite burg për grabitjen e Bankës së Kursimeve të Sarandës më 17 mars të vitit 1997. Grabitjen e bankës Këndezi e justifikoi si vetëgjyqësi, duke thënë që po merrte paratë që kishte lënë në firmat piramidale, por gjithsesi u shpall fajtor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›