E Diel, 1 Nëntor 2026

Berluskoni hedh në gjyq gazetën “La Repubblica”, do 1 milion euro

 

Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, ka hedhur në gjyq të përditshmen “La Repubblica”, për publikimin dhe ribotimin e 10 pyetjeve drejtuar atij, si dhe historive të skandaleve intime, që gjetën jehonë edhe në mediat ndërkombëtare, duke e cilësuar atë “një rrezik”. Berluskoni tani do një milion euro dëmshpërblim nga e përditshmja “La Repubblica” për shkak “të pavërtetave” që ka botuar ajo. Më 24 gusht, Berluskoni i është drejtuar një gjykate në Romë, me akuzën që ka të bëjë me shkrimet e përditshme të gazetës “La Repubblica” për “skandalet” nga jeta e tij dhe mbi të gjitha pyetjet që nuk gjetën përgjigje. Gazeta ka dashur të kuptojë se a e ka ditur Berluskoni natyrën e punës së vajzave, të cilat e kanë vizituar rezidencën e tij. Berluskoni thotë se pyetjet e paraqitura në gazetë nuk janë pyetje, por konstatime dhe se ato janë “qartazi shpifje”. Drejtori i “La Repubblica”, Ezio Mauro, i është kundërpërgjigjur kryeministrit dhe akuzave të tij me një editorial të titulluar “Insabbiare” (rërë syve). “Duke mos mundur të përgjigjet veçse me shpifje, Silvio Berluskoni ka vendosur të çojë në gjykatë dhjetë pyetjet e ‘Repubblica’-s, duke hedhur rërë syve, të paktën në Itali, mbi turpin publik të sjelljeve private që janë në qendër të një skandali ndërkombëtar dhe persekutimit politik. Është hera e parë në kujtimin e një vendi të lirë, që një burrë i politikës hedh në gjyq dhjetë pyetje që i drejtohen”. Sipas tij, Italia duhet të ndjehet e turpëruar nga sjellja e këtij burri. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›