E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paniku, dy pacientë me grip derri zbulohen pas 3 javësh

 

GJIROKASTER/ PIRO NASE

Konstatohen me vonesë dy raste me sëmundjen A/H1N1 në Gjiro-kastër. Dy pacientë, të cilët ishin në karantinë për shtatë ditë në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës gati 3 javë më parë, kanë qenë të prekur me gripin e derrave. Kjo është konfirmuar plotësisht nga burimet spitalore të Gjirokastrës. Për specialistin infeksionist Ardian Misha, para disa ditëve ishin paraqitur me forma dyshuese të gripit të derrave dy persona. Shenjat dyshuese për infektimin nga A/H1N1, ishin temperatura e lartë, kollë e thatë, rrufë, dobësi trupore çka justifikoi menjëherë shtrimin e tyre. Pas dy ditësh, dy personat emigrantë shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Greqi, njëri prej të cilëve në Athinë dhe tjetri në ishullin Rodos, janë vënë në regjim të rreptë vrojtimi duke hyrë në karantinë. Sipas mjekut infeksionist Misha, të dy pacientëve u është marrë kampion nga nozalaringu dhe menjëherë ato janë dërguar në laboratorin në kryeqytet për të vërtetuar dyshimet e lindura. "Ardhja konfirmuese e rastit të dyshuar me vonesë nuk shërbeu, pasi pacientët nuk e dinë ende që janë të infektuar me virusin e rrezikshëm", sqaron më tej mjeku. Ata, sipas Mishës, pasi janë trajtuar në pavijonin e infektivit të Spitalit Rajonal të Gjirokastrës kanë dalë, pasi dhe gjendja e tyre u përmirësua dukshëm, duke u eliminuar të gjitha format e lartpërmendura si temperatura e lartë, kolla etj. Mirëpo rreziku duket se nuk është larguar, pasi mendohet që të tjerë persona të jenë të infektuar nga kjo sëmundje. Mungesa e një karantine rigoroze me të gjitha parametrat në spitalin e Gjirokastrës, krijoi që të dyshuarit me gripin e derrave të vizitoheshin herë pas here nga familjarë të tyre, të cilët edhe ata disa ditë më vonë shfaqën të njëjtat simptoma si familjarët e tyre, por që nuk u shtruan në spital. Në këto kushte ekziston mundësia e shtrirjes së virusit në Gjirokastër e më gjerë, por askush nuk guxon ta pohojë një fakt të tillë, as nga Drejtoria e Shëndetit Publik dhe as nga Spitali Rajonal. Sipas mjekut Misha, sëmundja në fjalë ka aftësinë transmetuese te personat e tjerë brenda shtatë ditëve, që në momentin e ekzaminimit dhe kjo mjafton që të thuhet se rreziku për prekjen nga ajo të banorëve të tjerë në Gjirokastër, është evident. Mjeku infeksionist apelon për banorët e zonës të tregohen vigjilentë dhe mjaft të kujdesshëm dhe t'i kushtojnë rëndësi formave elementare të gripit të çfarëdollojshëm, pasi mund të preken me virusin A/H1N1.
Dy ditë më parë prefektja e Gjirokastrës, Mimoza Çomo, pohoi se nuk ka asnjë të prekur me virusin A/H1N1 në rajonin jugor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›