E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, shkrumbohen nga flakët magazinat e dy bizneseve të mëdha

 

KORÇE - Dy magazina të mëdha u dogjën njëra pas tjetrës mesditën e djeshme, në periferi të Korçës. Shtëllunga të mëdha tymi dhe flake u shfaqën papritur, në afërsi të fshatit Bulgarec. Nga burime të policisë mësohet se në fillim zjarri ra në magazinën e materialeve të ndërtimit "Sidorel" sh.p.k. me pronar Z.Larti. Ai është tregtar i hekurit që përdoret për ndërtim, por importon edhe materiale të tjera ndërtimi. Mes tyre ka pasur edhe një sasi të konsiderueshme ferizoli (lëndë që përdoret për hidroizolim), i cili ka marrë flakë menjëherë sapo u shfaq vatra e zjarrit. Në mjediset e magazinës kanë qenë edhe disa punonjës, të cilët fatmirësisht janë larguar në kohë pa pësuar asnjë dëmtim. Pas disa minutash zjarri është përhapur dhe ka pushtuar edhe një magazinë tjetër ngjitur, e cila kishte në brendësi të saj një sasi të konsiderueshme gomash makine. Tymi e flakët e ferizolit dhe mandej edhe të gomave kanë krijuar shtëllunga të mëdha tymi e flake shumë të frikshme për kalimtarët, por edhe për banorët e fshatit Bulgarec dhe lagjen periferike në perëndim të Korçës. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar mjetet e zjarrfikëseve, të cilët kanë mundur të izolojnë e shuajnë zjarrin. Sipas punëtorëve të magazinës, një masë elektrike në një prej llambave që ishte ndezur ka provokuar shpërthimin. Megjithatë, hetimet po vazhdojnë.            j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›