Apeli: 60 ditë burg Almir Rrapos
Ish-punonjësi i Ministrisë së Jashtme, Almir Rrapo, i arrestuar pak ditë më parë në Ambasadën Ame-rikane në Tiranë, për llogari të SHBA-së, do të qëndrojë në qeli për 60 ditë. Apeli i Gjykatës së Tiranës caktoi dje këtë masë sigurie ndaj ish-zyrtarit Almir Rrapo, duke e shtuar në këtë mënyrë me 20 ditë afatin 40-ditor të caktuar nga Shkalla e Parë, në caktimin e masës së sigurisë. Në seancën e djeshme gjyqësore ndaj tij, përfaqësuesi i akuzës kërkoi një masë sigurimi personal me burg për një afat 60-ditor, kohë në të cilën do të kryhen procedurat për ekstradimin e Rrapos drejt SHBA-së. Njëkohësisht, prokurori e konsideroi të ligjshëm arrestimin e ish-punonjësit të ministrisë, i cili ra në pranga duke aplikuar për vizë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Mbrojtësi ligjor i Almir Rrapos, avokati Ardian Visha, e konsideroi dje të paligjshëm arrestimin e klientit të tij. "është lejuar nje operacoion policor në territorin e SHBA-së, me apo pa pëlqimin e ambasadës. Arresti është i paligjshëm. Oficerët që kanë bërë arrestimin nuk kanë tagër, juridiksion veprimi në territorin e ambasadës", - u shpreh avokati. Gjithashtu, avokati pretendoi se në dokumentacionin e përcjellë në Shqipëri nga ana e gjykatës së Miçiganit, nuk përmendet emri i Almir Rrapos dhe as ndonjë pseudonim për të. Almir Rrapo akuzohet nga drejtësia amerikane për "pengmarrje për ndihmë të shandazhit", "armëmbajtje pa leje" dhe "shpërndarje droge".
Arrestimi
Punonjësi i Ministrisë së Jashtme, Almir Rrapo, ka qenë duke aplikuar për vizë në ambasadën e SHBA në Tiranë, në ora 09:00 të mëngjesit të 2 korrikut, kur një grup oficerësh e kanë ndaluar. Atij i është komunikuar fakti se ishte arrestuar për llogari të autoriteteve amerikane, të cilat e kishin shpallur në kërkim për akuzën e "trafikut të drogës", "rrëmbimit me qëllime shantazhi" dhe "armëmbajtjes pa leje". Menjëherë pas ndalimit në Ambasadën Amerikane, zyrtari i Ministrisë së Jashtme iu dorëzua policisë së Tiranës, ndërkohë që Prokuroria kërkoi si masë sigurimi në gjykatë, mbajtjen për 40 ditë në burg, deri në realizimin e procedurave të ekstradimit në SHBA. Prokuroria ka deklaruar se është në pritje të materialeve shkresore nga Shtetet e Bashkuara, me qëllim paraqitjen para gjykatës të kërkesës, për ekstradimin e Almir Rrapos në Amerikë. Sipas marrëveshjes së ekstradimeve, të akuzuarit nga autoritetet amerikane mund të ekstradohen nga Shqipëria për t`u përballur me akuzat e ngritura ndaj tyre, në gjykatat amerikane. Për shkak se ekstradimi mund të vonojë më tej se 40 ditë, Prokuroria, dje kërkoi mbajtjen në qeli të Rrapos për 60 ditë. ar.ba
Dosja nga SHBA: Ish-zyrtari ishte anëtar i klanit "Krasniqi"
TIRANE - Almir Rrapo, ish-sekretari i Ministrisë së Jashtme, i arrestuar dy javë më parë në mjediset e Ambasadës Amerikane në Tiranë, akuzohet nga drejtësia e SHBA, të jetë një nga anëtarët e klanit "Krasniqi". Sipas autoriteteve amerikane të drejtësisë, anëtarët dhe ndihmësit e kësaj organizate ishin angazhuar në krime të shumta, përfshi këtu trafikim lëndësh narkotike, rrëmbim, kërcënim, grabitje dhe transport përtej kufijve shtetëror të mallrave të vjedhura. Pak ditë më parë autoritetet amerikane kanë publikuar aktpadinë ndaj 11 anëtarëve të këtij klani shqiptarësh, ndërsa emri i Almir Rrapos, ish-diplomatit shqiptar, nuk përmendet aty. Juria amerikane pohon se ka përcaktuar kreun e organizatës Bruno Krasniqi, i cili sipas tyre ka drejtuar aktivitetin kriminal të saj nga viti 2003 deri në 2007, kur policia e shkatërroi atë. Po kështu, pohohet se anëtarët janë: Saimir Krasniqi, i njohur si "Sammy"; Elton Sejdaris, i njohur si "Tony"; Erkliant Sula; Shkelzen Balidemaj; Plaurent çela; Skënder Cakoni, i njohur si "Neri"; Gjovalin Berisha, i njohur si "Cuz"; Dukagjin Nikollaj, i njohur si "Duke"; Nazih Nasser, i njohur si "Naz"; si dhe Gentian Nikolli, i njohur si "Genti". çështja është dërguar për shqyrtim në gjykatën e Distriktit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Distrikti Jugor i Nju Jorkut. "Në të gjitha rastet e lidhura me këtë aktpadi, në distriktin jugor të Nju Jorkut dhe gjetkë, Bruno Krasniqi, Saimir Krasniqi e Elton Sejdaris, të pandehur dhe të tjerë të njohur dhe të panjohur, kanë qenë anëtarë dhe ndihmësa të një ndërmarrjeje kriminale të organizuar, të kryesuar nga Bruno", - thuhet në dokumentin amerikan. Më tej, pohohet se: "Klani "Krasniqi", përfshi edhe drejtuesit e saj, anëtarët dhe ndihmësit, kishte krijuar një "ndërmarrje", siç përcaktohet ky term në Titullin 18, Kodi i Shteteve të Bashkuara, seksioni 1961 (4) i cili është një grup individësh të lidhur në fakt, megjithëse jo një entitet ligjor, që është i angazhuar dhe në veprimtaritë e të cilës ndikojnë në tregtinë midis shteteve dhe të jashtme. "Krasniqi" ishte një grup i organizuar kriminal me bazë në Staten Island dhe Queens, që ka operuar në Distriktet Jugore dhe Lindore të Nju Jorkut, Distriktit Lindor të Miçiganit, Distriktit të Keniktikatit dhe gjetkë. Organizata Krasniqi ishte një organizatë në vazhdimësi, anëtarët e të cilës funksiononin si një njësi në vazhdim, me qëllimin e përbashkët të arritjes së objektivave të ndërmarrjes", - përfundon gjykata amerikane. fa.ma.