E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heqja e shatërvanit të Kuvendit,kallëzim në Prokurori



alma mile

Ndoshta, ai nuk ishte shembulli i mjeshtërisë dhe rafinimit artistik, por gjithsesi, një dëshmitar historik. Kaq do të mjaftonte që ai të mos dhunohej, por siç thotë arkitekti Maks Velo, “kur nga diçka nuk fitojmë asgjë, atëherë ne e prishim”.
Për të protestuar kundër dhunimit të trashëgimisë kulturore, pas heqjes se shatërvanit nga lulishtja e Kuvendit, përfaqësues të shoqërisë civile, organizatave joqeveritare dhe mediave, u mblodhën dje, në orën 09:45, në vendin e gërryer nga dhëmbët e ekskavatorëve. Temperaturat e larta të ditës së djeshme, nuk i penguan protestuesit të ngrinin zërin kundër rastit të radhës, së shkatërrimit të trashëgimisë kulturore. Artan Shkreli, Artan Lame, Alban Dudushi, Aleksandër çipa, Anila Basha, Ardian Klosi, Erjon Tase, Fatos Lubonja, Filip çakulli, Rezear Xhaxhiu, Maks Velo, Mentor Kikia, Ylli Manjani, etj., ndodheshin aty për të treguar se nuk mund të heshtet më përballë rasteve të tilla. Sipas analistit Fatos Lubonja, heqja e shatërvanit historik të lulishtes së Parlamentit, nuk është një rast i shkëputur, por “pika e fundit që mbushi kupën”, - ndaj edhe situata nuk mund të vazhdojë më kështu. Dhe kjo nuk mund të bëhet vetëm me fjalë, por edhe me fakte konkrete. Sipas avokatit Ylli Manjani, po hartohet një kallëzim penal në prokurori, për gjetjen e përgjegjësve të këtij veprimi. Gjithashtu, protestuesit u shprehën se do t’i drejtojnë një kërkesë Komunitetit Evropian, i cili financon projektin, që bëri të mundur heqjen e shatërvanit dhe u ndërhyri në lulishte, për të hetuar sesi u zgjodh dhe u zbatua ai. “Absurditeti më i madh i gjithë kësaj historie, është fakti që i gjithë ky shkatërrim po bëhet me fonde të dhëna nga Komuniteti Evropian me destinacon: “mbrojtjen e trashëgimisë kulturore” (!!!). Për më tepër, edhe tenderi për punimet është bërë gjithashtu nga Komuniteti Evropian. Së fundi, rezulton se për zbatimin e këtij projekti mungon leja mjedisore dhe studimi i ndikimit në mjedis. është e domosdoshme, që përfaqësia e Komunitetit Evropian të hetojë mënyrën se si u përzgjodh dhe u zbatua ky projekt, si dhe mangësitë e dëmet e shkaktuara prej tij”, - u shpreh Artan Lame.
Të tjerë të pranishëm u shprehën, se nëse institucionet përkatëse do të ishin më të përgjegjshme për punën e tyre dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, do të kishin ndërtuar një plan veprimi, për ta zhvendosur shatërvanin në një tjetër vend, pa e dëmtuar atë dhe jo në mënyrë të dhunshme e të turpshme, si në të vërtetë ndodhi.
Projekti prej
2 milion eurosh
Në kuadër të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, nga ana e Komunitetit Evropian u dha një grant prej rreth 2 milion euro me këtë destinacion. Me këtë fond u mendua të restauroheshin muret e kalasë së Tiranës dhe të investohej për kthimin në rrugë pedonale të rrugës përgjatë këtyre mureve (rruga midis Ministrisë së Brendshme dhe Galerisë së Arteve). Për këtë u hartua një studim (shumë i kontestuar) për rikonstruksionin e rrugës para kalasë së Tiranës. Studimi ka kaluar dy herë në KRRT-në e Bashkisë Tiranë, me shumë diskutime dhe vërejtje. Projekti është hartuar nga një arkitekt i huaj, i cili pavarësisht objekteve të zonës, arkitekturës dhe moshës së tyre, parashikon që gjysma e lulishtes tek Kuvendi, të prishet dhe të mbulohet me një seri elementesh moderniste, pllaka betoni, instalacione, drita me ngjyra e bojëra, xhamllëqe e të tjera të tilla. Aktualisht, ky studim po zbatohet, megjithëse asnjë prej institucioneve shtetërore nuk pranon të marrë përgjegjësi për këtë, përfshirë këtu Institutin e Monumenteve, Institutin e Arkeologjisë, Bashkinë e Tiranës dhe Ministrinë e Kulturës. Në kuadër të këtij restaurimi, u shkatërrua edhe një pjesë tjetër e lulishtes si edhe shatërvani, pasi studimi parashikon shtrimin e asaj zone me pllaka.
Heqja
Disa ditë më parë u hoq nga vendi ku qëndronte prej 87-vjetësh një shatërvan, që deri para pak kohësh gëzonte statusin e monumentit të kulturës. I konsideruar si një “objekt pa ndonjë vlerë arkitektonike”, shatërvani u shkul në mes të natës nga fadromat, që po ndërtojnë rrugën përgjatë kalasë së Tiranës, me një fond të financuar nga Komuniteti Evropian. Drejtori i Institutit të Monumenteve, Apollon Baçe, është shprehur për mediat se: “Ky shatërvan është hequr nga lista e monumenteve, me arsyetimin se binte ne kundërshti me projektin e rrugës dhe se nuk kishte ndonjë vlerë arkitektonike”. Pas reagimeve që kjo ngjarje shkaktoi, objekti është shfaqur sërish në mëngjesin e dy ditëve më parë, por jo më në vendin e dikurshëm, por përpara Akademisë së Shkencave, ku në fakt ndodhet edhe një tjetër shatërvan. është e qartë, që vendosja përpara Akademisë është sa për sy e faqe”, pasi një shatërvan nuk ka asnjë lloj kuptimi pa basenin e tij ujëmbajtës.
Historiku
Në kohën e Turqisë, zona ku sot gjendet lulishtja, shërbente si sheshi i godinës qeveritare. Aty gjendej Bashkia e qytetit (Beledija) dhe nënprefektura (Hyqymeti). Sot, në atë vend gjendet godina e bibliotekës së vjetër dhe “Komunitetit Myslyman”. Në këtë shesh, më 26 nëntor 1912, u mblodh populli i Tiranës dhe u bë shpallja e Pavarësisë. Godina e Hyqymetit turk, pas Kongresit të Lushnjës dhe shpalljes së Tiranës kryeqytet, u kthye në selinë e Kryeministrisë. Për këtë arsye u ndërmor edhe sistemimi i sheshit përpara godinës. Shatërvani u ndërtua në vitin 1923, në kuadër të ndërtimit të “Lulishtes Popullore”. Në dokumentet e kohës përcaktohet se lulishtja ishte 2700 m2 dhe kushtoi 8000 franga. Impianti i shatërvanit dhe baseni i tij janë rikosntruktuar dhe restauruar disa herë gjatë historisë, veçanërisht në vitet ’40, gjatë pushtimit italian, në vitet 50 në stilin neoklasik sovjetik dhe në vitet ’70, kur baseni origjinal u vesh me mozaik xhami. Shatërvani bashkë me lulishten mbetën të patrazuar për gati triçerekë shekulli, derisa në vitet ’90 u rrethuan me kioska. Në vitin 2000, me rastin e shpalljes së qendrës së Tiranës “Ansambël Monumental”, edhe shatërvani u vu nën mbrojtje. Në vitin 2002, shatërvani u rrezikua nga zgjerimi i rrugës përpara “Komunitetit Myslyman”. Meqenëse, trotuari prekte basenin e tij, zgjidhja u gjet duke devijuar rrethimin në atë pjesë të lulishtes, për ta lënë të paprekur basenin. Në vitin 2003, në kuadër të rikuperimit dhe sistemimit të lulishtes, ai u restaurua tërësisht nga bashkia, duke i vënë në punë edhe sistemin e ujit. Në vitin 2007, shatërvani, me propozim të Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe miratim të ministrit të Kulturës, u shpall “Monument Kulture”.

Reagon Komuniteti Europian

Pas kërkesës së protestuesve për hetim, drejtuar Komunitetit Europian, delegacioni i Bashkimit Europian reagoi menjëherë. Përmes një njoftimi për shtyp, thuhet se “Projekti për “Zhvillimin e Qëndrueshëm dhe të Integruar të Zonës Historike të Tiranës, në rrugën Murat Toptani” është miratuar nga Këshilli Teknik Urbanistik i Bashkisë së Tiranës, më 11 shtator 2009, Vendimi Nr. 2. Plani i përgjithshëm i projektit është aprovuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, më 11 dhjetor 2009. Më 21 maj 2009, bazuar në ligjin shqiptar “Për trashëgiminë kulturore”, projekti është aprovuar nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve, nën varësi të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Sipas delegacionit, firma zbatuese është duke kryer punimet në përputhje me projektin e aprovuar. Për të monitoruar nga afër punimet, janë organizuar mbledhje mujore në kantier, në prani të përfaqësuesve të këtyre institucioneve, të cilat në të vërtetë nuk morën mbi vete asnjë përgjegjësi për ngjarjen

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›