Fation Sefa vë veton: Do qëndroj te Dinamo
Fation Sefa nuk do të lëvizë nga Dinamo. Lojtari ka hedhur poshtë ofertën e Skënderbeut të Korçës duke preferuar të qëndrojë me kampionët në fuqi. “Nuk ka ndonjë të re – thotë Sefa – për veten as që bëhet fjalë të pranoj transferimin. Jam krenar që jam pjesë e Dinamos dhe do të vazhdoj të jap më të mirën time”. Por lojtari, edhe duke qenë një vit nën kontratë me blutë, është në një farë mënyrë i detyruar të bëjë atë që i thonë. Megjithëse edhe pas bisedimeve të pasdites së djeshme, mes tij dhe zv/Braçe, gjërat përsëri kanë mbetur pezull. Por në fakt ka dhe një kërkesë të trajnerit Blanko për të mos lejuar huazimin e Sefës e Sozës në Korçë, në një kohë që një ditë më parë, presidenti i bluve, Besnik Sulaj, nuk ka përmendur largime, por vetëm dy afrime për të plotësuar të gjithë grupin aktual të Dinamos. Veçse Sefa e ka të ndarë mendjen: “Unë nuk largohem nga blutë”. Ndërkaq ai ka folur dhe për eleminimin nga Champions League. “Ai gol i shpejtë nuk na ndihmoi më pas për të realizuar atë që do të na jepte kualifikimin. Emocionet bëjnë të veten, tensioni shtohet, ndonëse nga jashtë ne nuk patëm ndonjë presion të madh”.