E Diel, 1 Nëntor 2026

Italiani i kërkuar nga BE-ja, gjykata e Tiranës: Jo garancisë pasurore



TIRANE - Italo Gigante, italiani i kërkuar nga drejtësia belge për korrupsion aktiv e pasiv dhe pastrim parash të pista, ofroi garanci pasurore në gjykatën e Tiranës, për t'i shpëtuar qelisë. Ky fakt, pohohet në vendimin gjyqësor, për caktimin e masës së sigurisë në ngarkim të tij, dhënë nga gjyqtarja kryeqytetase, Mimoza Kajo. Kështu, në vendimin gjyqësor pohohet se gjykata nuk merr parasysh pretendimin dhe kërkimin e mbrojtësit të të arrestuarit, i cili kërkoi që ndaj 57- vjeçarit Italo Gigante, të vendosej "arrest në shtëpi" ose " garanci pasurore". "Mbrojtja parashtroi se Gigante vuan nga "hernia diskale" dhe është operuar prej saj së afërmi. Gjithashtu, mbrojtja paraqiti një deklaratë noteriale të shtetasit V.A., i cili deklaronte se ishte dakord të depozitojë pranë çdo banke shumën e caktuar si garanci pasurore nga gjykata. Gjykata çmon, se mbrojtja nuk paraqiti argumente bindëse për të vërtetuar se janë kushtet për mosaplikimin e masës shtrënguese "arrest në burg". Po ashtu, mbrojtja nuk paraqiti prova të plota, se ndodhemi në kushtet përjashtuese për masën e "arrestit në burg", (që i arrestuari është në gjendje shëndetësore veçanërisht të rëndë, që është toksikoman ose i alkoolizuar dhe për të zbatohet një program terapeutik në një institucion të posaçëm etj)", argumentohet në vendimin gjyqësor ku më tej thuhet se përderisa ndaj të arrestuarit është lëshuar një vendim arresti ndërkombëtar, masa e shtrënguese "arrest në burg", i përshtatet më mirë nevojave të sigurimit të Gigantes. Gigante, lindur dhe banues në Potenza, Itali, kërkohet nga drejtësia belge për abuzime me tenderë të BE-së. Ai u vu në pranga mesditën e 14 korrikut, pasi gjatë kontrollit të dokumentacionit të tij nga kontrollorët e kufirit në aeroportin e Rinasit, në sistemin ASF2 Interpol, ka rezultuar se ishte në kërkim ndërkombëtar nga autoritete të drejtësisë së shtetit belg. Fakti është konfirmuar edhe nga formulari i "njoftimit për shpërndarje", i dërguar me faks nga Interpoli i Brukselit një orë më vonë, si dhe nga Urdhri i Arrestit numër 121/04, datë 31 korrik 2007, i nënshkruar nga Berta Bernando Mendez Juge d'instuction de Bruxeles, i cili është dërguar gjithashtu me faks në Tiranë, në të njëjtën ditë. Pas kësaj, këto materiale kanë mbërritur në prokurorinë e kryeqytetit, prej nga iu dërgua gjykatës kërkesa për vendosjen e masës së sigurisë 40 ditë në burg për Gigante, me qëllimin ekstradimin e tij drejt Belgjikës, kërkesë e cila u pranua nga togat e zeza. fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›