I liroi gjykata për drogën, grabisin me armë automjetet
TIRANE - Tri të rinjtë e arrestuar me 2 kg hashash gjatë operacionit "Nissan", të oficerëve të Antidrogës dhe të liruar disa ditë më parë nga gjykata e Tiranës, përfunduan sërish në pranga, këtë herë për akuzën e "vjedhjes me armë". Njëri prej të rinjve, (që sipas vendimit të gjykatës duhej të qëndronin në "arrest shtëpie) Albert Durma, u arrestua dy ditë më parë, pasi pas ekzaminimit të armëve që iu sekuestruan në banesë gjatë operacionit të antidrogës, rezultuan të ishin përdoruar në disa vjedhje. Burime nga policia, thanë se Durma rezultoi të ishte autor i vjedhjes së naftës në stacionin e antenave, të një kompanie të telefonisë celulare, në Farkë të Tiranës. Por një tjetër akuzë e ngritur ndaj Albert Durmës dhe për të cilën ende vazhdojnë hetimet, është tentativa e grabitjes së postës së OSSH-së, pranë "Shkollës së Baletit", gjatë të cilës mbeti e plagosur arkëtarja. Për këtë rast dyshohet se Durma mund të ketë bashkëpunuar me dy miqtë e tij, të cilët po hetohen në gjendje të lirë, Artan Hysa dhe Artur Gurzi. Aktualisht, dy të fundit vazhdojnë të qëndrojnë ende në "arrest shtëpie", por mbahen në hetim edhe për këtë ngjarje, deri në sigurimin e provave të nevojshme, që mund t'i implikojnë si bashkëpunëtorë të Albert Durmës. Gjatë operacionit "Nissan", kur Antidroga sekuestroi 1.5 kg hashash dhe 500 gramë farë kanabisi, në shtëpinë e 25-vjeçarit Durma, u gjetën edhe armë e municion, që sipas policisë, dyshohen të jenë përdorur në vjedhje me armë, që kanë ndodhur në zona të ndryshme të Tiranës.