E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli, 87 vjet burg për “Bandën e Niklës”

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda ka lënë dje në fuqi vendimin e dhënë nga kolegët e Shkallës së Parë për të pandehurit e “Bandës së Niklës”, duke i dënuar ata me 87 vjet burg. Seanca e djeshme ka zgjatur disa orë deri në shpalljen e vendimit. Fillimisht togat e zeza kanë dëgjuar rezultatin e dy ekspertëve të caktuar për ekzaminim të gjurmëve të gjetura në automjetet e vjedhura, nga ku njëra ka rezultuar e të pandehurit Xheka. Ky i fundit ka reaguar ashpër ndaj dy ekspertëve, duke kërkuar një ekspert privat, pasi gjurmët e ekzaminuara nuk kanë qenë të tijat. Kjo kërkesë është rrëzuar nga togat e zeza, të cilat i kërkuan prokurorit të vijojë me konkluzionet përfundimtare. Prokurori kërkoi gati të njëjtat masa dënimi që kishin kërkuar kolegët e Shkallës së Parë, ndërkohë që e ka rritur masën e dënimit për të pandehurin Petrit Lleshi. Gjykata u tërhoq për rreth 1 orë për shpalljen e vendimit, duke dënuar përfundimisht me 87 vjet burg shtatë të pandehurit. Të pranishëm në seancë kanë qenë vetëm Flamur Haka e Mustafa Xheka, ndërkohë që të tjerët nuk kanë preferuar të marrin pjesë gjatë zhvillimit të gjyqit. Shtatë anëtarët e “Bandës së Niklës” akuzohen për vepra të ndryshme penale, si vrasje, rrëmbime, vjedhje me armë dhe armëmbajtje pa leje. Janë të paktën 11 ngjarje kriminale, të cilat u atribuohen shtatë anëtarëve të bandës, ku më e rënda nga të gjitha është ajo e vrasjes me paramendim e mbetur në tentativë e djalit të biznesmenit të njohur në zonë, Abaz Ullirit, i cili njihet për prodhimet e divaneve dhe kolltukëve në zonë. Për këtë episod reagoi dje i pandehuri Flamur Haka, i cili u shpreh se kishte lidhje familjare me Abaz Ullirin dhe nuk do ta kryente asnjëherë një veprim të tillë kundër tij apo familjes së tij. Ndërkaq, po “Banda e Niklës” akuzohet edhe për vjedhjen me dhunë të tre kambistëve, si dhe për veprën penale të “armëmbajtjes pa leje”.

Ditari i Berishës

Një ndër provat më të forta në duart e akuzës, përveç përgjimeve telefonike e ambientale, është ditari i njërit prej të akuzuarve të bandës i hedhur në një CD, Kreshnik Berishës, i cili kishte shkruar në të, të gjitha krimet e kryera nga banda. Sipas akuzës, ditari ka dalë nga kompjuteri i Kreshnik Berishës. Për të arritur të gjitha hetimet në mënyrën më të saktë, organi i Prokurorisë ka shfrytëzuar detajet e ditarit. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se të pandehurit janë përgjegjës për 11 ngjarje kriminale, të cilat i kanë kryer në kohë të ndryshme dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Emrat e të pandehurve dhe datat e kryerjes së krimeve së bashku me rastet janë të gjitha në CD-në që u mor si provë nga gjykata mes shumë debatesh me avokatët e çështjes. Pasi është zbardhur CD-ja, Prokuroria ka vepruar në mënyrën e saj për ta hedhur në dosje. Ditari i mbajtur për “bëmat” e ka vënë në pranga Kreshnik Berishën, duke e përballur me shumë akuza, pjesa më e madhe e të cilave “grabitje me armë” dhe “gjobvënie”. Ndoshta, kur i ka hedhur fillimisht në kompjuter kujtimet e tij për ngjarjet, për të cilat sot akuzohet, s’e ka ditur se do të arrestohej. Madje, gjithçka i është kujtuar e ka shkruar dhe më pas e ka hedhur në një “CD Writer”. Pikërisht, CD-ja me kujtime të grabitjeve me armë dhe gjobvënieve e ka bërë të pakundërshtueshme akuzën e ngritur ndaj tij dhe bashkëpunëtorëve. CD-ja, së bashku me dosjen hetimore dhe provat e tjera është administruar nga gjykata, e cila tashmë e ka më të lehtë të vërtetojë ngjarjet e kundërshtuara nga mbrojtja. Kreshnik Berisha ka qenë bashkëpunëtor në kryerjen e grabitjeve me Flamur Hakën dhe Petrit Lleshin. Që të tre të pandehurit njihen si persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore në zonën e Niklës. Para gjykatës, një pjesë e personave të dëmtuar kanë treguar edhe emrat e të pandehurve, duke i treguar me gisht. Ndërkohë që Flamur Haka është për të disatën herë në bankën e të akuzuarve, si një nga personat që drejton bandat e hajdutëve.

Të pandehurit dhe masat e dënimit

Petrit Lleshi, 17 vjet

Flamur Haka, 16 vjet

Kreshnik Berisha, 17 vjet

Mustafa Xheka, 11 vjet

Edmond Sina, 10 vjet

Agron Tafani, 11 vjet

Ervin Belba, 5 vjet

Akuzat

“Vjedhje me armë”

“Pengmarrje”

“Armëmbajtje pa leje”

“Grabitje me armë”

“Gjobvënie”

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›