E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimi, 6 ekspertë belgë në Shqipëri për Agim Shëngjonin

Gjashtë ekspertë belgë kanë zbarkuar prej disa ditësh në Tiranë për ekzekutimin e një letër-porosie për një shtetas të shumëkërkuar në vendin e tyre. Ata kanë kërkuar ndihmë nga Prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda, për të kryer veprimet e tyre hetimore, duke qenë se shtetasi i kërkuar prej tyre është arrestuar në Shqipëri për “trafik armësh”, ndërkohë që në Belgjikë dhe Holandë dyshohet të jetë një ndër grabitësit më të kërkuar të banesave. Bëhet fjalë për shtetasin Agim Shëngjoni, i arrestuar pak muaj më parë nga policia shqiptare për “trafik armësh”, pasi me pako postare dhe emër të rremë ka nisur nga Belgjika në Shqipëri 3 pistoleta, të cilat më pas doli t’i priste vetë në Tiranë. Por, ndërkohë që në vendin tonë ky shtetas hetohej për “trafik armësh”, në Belgjikë hetohej për vjedhje banesash. Sipas burimeve nga akuza, Shëngjoni vepronte me emër të rremë, ndërkohë që në vendet ku kanë ndodhur grabitjet kanë ngelur gjurmë gishtash dhe prova të tjera identifikuese. Sapo kanë mësuar mbi arrestimin e këtij shtetasi, 6 ekspertë belgë mbërritën në vendin tonë, kontaktuan me organin e akuzës dhe gjykatën dhe nisën procedurat hetimore. Fillimisht nisën procedurat për marrjen e provave, kjo nëpërmjet ekzekutimit të letër-porosisë. Mësohet se dy ditë më parë 6 ekspertët kanë “bastisur” banesën e të arrestuarit, duke grumbulluar provat që u duheshin, si dhe bllokuar si provë materiale laptop-in e tij. Gjithashtu, ekspertët belgë kanë kontrolluar në banesë për sende që rezultojnë të vjedhura, që kanë qenë me mjaft vlerë për familjet e grabitura, duke bllokuar çdo gjë të nevojshme. Më pas është kërkuar edhe dëshmia e familjarëve të Shëngjonit, babait dhe vëllait të tij. Ekspertët kanë vendosur të marrin shenjat e gishtave të Shëngjonit për t’i ballafaquar me ato të gjetura në vendngjarje, kryerjen e analizës së ADN-së dhe të tjera ekspertiza që do t’u duhen për procesin hetimor e gjyqësor, si dhe deklarimet e tij rreth akuzës. Të gjitha këto, të marra në rrugë gjyqësore, nga ekspertët do të përdoren si provë në procesin gjyqësor që do të zhvillohet në Belgjikë për shtetasin Agim Shëngjoni, i cili do të gjykohet në mungesë, pasi nuk mund të ekstradohet se është duke u hetuar për një vepër penale më të rëndë në Shqipëri dhe bëhet fjalë për “trafik armësh”.

Deatje

Ekspertët belgë kanë vendosur të marrin shenjat e gishtave të Shëngjonit për t’i ballafaquar me ato të gjetura në vendngjarje

Merren kampione për kryerjen e analizës së ADN-së dhe të tjera ekspertiza që do t’u duhen për procesin hetimor e gjyqësor

Procesi do kryhet në mungesë, pasi është duke u hetuar në Shqipëri për një vepër penale më të rëndë, “trafik armësh”

6 ekspertët belgë mbërritën në Shqipëri, pasi Agim Shëngjoni akuzohet për vjedhje banesash në Belgjikë e Holandë

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›