Apeli; Vendimi, Autoriteti i Konkurrencës, hetim ndaj kompanive të sigurimeve
Autoriteti i Konkurrencës do të hetojë kompanitë e sigurimeve për tregun e sigurimeve për mjetet motorike. Vendimi u mor dje nga Gjykata e Apelit, duke rrëzuar kështu padinë e bërë nga 6 shoqëri sigurimesh kundër hapjes së hetimit të thelluar mbi këtë treg. Autoriteti i Konkurrencës, në mbështetje të ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, në përfundim të hetimit paraprak në tregun e sigurimeve të detyrueshme për periudhën 2005-2006, kërkoi hapjen e një hetimi të thelluar, pasi u vunë re shkelje të konkurrencës në këtë treg. Të 6 shoqëritë e sigurimeve e hodhën në gjyq këtë autoritet, ndaj me vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, nr. 2372, dt. 3 prill 2007, hetimi i mëtejshëm i Autoritetit të Konkurrencës ishte pezulluar. Me vendimin e fundit të Gjykatës së Apelit, Autoriteti i Konkurrencës rifillon hetimet në tregun e sigurimit të detyrueshëm në tregun motorik.