E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet për korrupsion eksperti i gjykatës, Besnik Kuçi

Policia e Vlorës ka arrestuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm 49-vjeçarin Besnik Kuçi, me detyrë ekspert i atashuar pranë Gjykatës së Rrethit. I dyshuari akuzohet për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”. Besnik Kuçi është ekspert për pyjet dhe ka licencë private, ndërkohë që rezulton të jetë i atashuar pranë gjykatës dhe merret për ekspertim sipas kërkesave të togave të zeza rajonale. Kohët e fundit, sipas burimeve zyrtare policore, Kuçi kishte për detyrë të bënte një ekspertim që lidhej me prerjen e druve në zonën pyjore të Vlorës ku janë të pandehur 18 persona, zyrtarë të Drejtorisë Pyjore. Bëhej fjalë për Ilqen, një dru i rrallë që po zhduket në Vlorë. Detyra e Kuçit ishte të përcaktonte nivelin e dëmit dhe kjo detyrë, erdhi me kërkesën e të pandehurve dhe avokatëve të tyre mbrojtës. Por, të pandehurit dhe avokatët e tyre kanë deklaruar se Kuçi nuk ishte eksperti i duhur, pasi nuk kishte arsim të lartë dhe pa profil pyjor, por zooteknik, ndaj s’mund të jepte vlerësim të saktë mbi dëmin e supozuar nga akuza. Ndërkohë, ka dalë pretendimi se Kuçi i kishte kërkuar para njërit nga të pandehurit, duke i premtuar se do ta ndryshonte aktin e ekspertimit, me qëllim uljen e vlerës së dëmit, por edhe se do të gjente një tjetër ekspert në vend të tij. “Haku i punës” që Kuçi ka kërkuar nga një prej të pandehurve, ishte shuma 1.2 milion lekë. Kjo kërkesë e Kuçit është denoncuar nga i pandehuri në Prokurori dhe kjo e fundit ka realizuar një varg përgjimesh. Këto përgjime bënë të mundur grumbullimin e provave se Besnik Kuçi kishte abuzuar me detyrën, duke ofruar ndryshim të ekspertimit kundrejt “haraçit” prej dhjetë mijë eurosh. Në këto kushte, Prokuroria vendosi që të arrestojë të dyshuarin Besnik Kuçi dhe ai tani gjendet përkrah të arrestuarve të tjerë të skandalit të pyjeve, në paraburgimin e Policisë së Vlorës, me akuzat për korrupsion pasiv dhe vjedhje me anë të mashtrimit dhe ekspertim të rremë.

Hetimet

Prokuroria e Rrethit Vlorë me ekspertët e saj e kishte përcaktuar në shumën 3.7 milionë lekë vlerën e dëmit ndaj pyjeve, duke çuar në arrestimin e shtatë personave dhe marrjen si të pandehur edhe të 11 të tjerëve. Që të gjithë janë nën akuzë për abuzim me pyjet, duke u llogaritur dëmi prej 3.7 milionë lekësh të reja. Masakra ekologjike është kryer në vijimësi deri në tetor të vitit të kaluar, kryesisht në fshatrat Tërbaç, Bolenë, Bashaj, Kuç, Vranisht, Fterrë. Sipas hetimit, dëmi është shkaktuar nga disa shoqëri tregtare që kanë licencë, për të shfrytëzuar pyjet, si shoqëria “Shushica”, me president Qatip Veshin, në bashkëpunim me Adil Leskaj, “Bushi” me president Avjon Bushaj, në bashkëpunim me Ardian Haskaj dhe shoqëria e drejtuar nga Xhelal Isufi. Prokuroria thotë se këta persona në bashkëpunim me të tjerë, kanë shfrytëzuar zonat pyjore dhe më pas nëpërmjet furrave-kamina kanë prodhuar qymyr për konsum vendas dhe për në Greqi. Për personat që kanë shkaktuar dëmin ekonomik më të madh, është marrë masa e sigurisë burg pa afat për Qatip Veshin, si dhe për punonjësit e drejtorisë pyjore të cilët kanë shpërdoruar detyrën nga moskontrolli i kësaj zonë gjatë shfrytëzimit: Sotir Qorri, Pavli Curraj, Shyqyri Hoxha, Bilal Lalaj. Volumi në total i lëndës drusore të prerë nga viti 2003 deri në vitin 2007 është 147 mijë metër kub sipas Prokurorisë dhe dëmi ekonomik i shkaktuar shtetit nga prerja pa leje e lëndës drusore për vitet 2003-2007 është 3.7 milionë lekë të reja.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›