Boja e Xhenit; “Nëse do të ekspozohej kjo tablo, do të përfundoja në burg”
Intervistoi: Suela Furriku
Me gishta të ngjyrosur nga boja e penelit që rridhte, më në fund, kishte mbyllur misionin e saj. Xheneta Kadillari, apo Xheni, siç e quanin miqtë, bashkë me pesë piktorë të tjerë kanë pasur në dispozicion vetëm një javë kohë, për të ndërhyrë në një prej krijimtarive të punuara në një ditë diktature. “Një ekspozitë mbi shtetëzime”, e cila do të çelet më 29 shtator në Galerinë Kombëtare të Arteve, ka mbledhur gjashtë piktorë, të cilët në kuadër të fazës së rinovimit të ambienteve të GKA-së, do të ri-pikturojnë një prej punëve më të njohura që i përket periudhës së realizmit socialist. Por, risia nuk qëndron vetëm këtu. Formatin e ri ata kanë mundësi që ta rindërtojnë edhe një herë vetëm në muret e një prej sallave të katit të dytë të galerisë. Veprat e tyre mund të ndryshojnë ose jo nga formati origjinal, por artistët do t’i përdorin këto të fundit si nxitëse për një interpretim të ri dhe bashëkohor
Për çfarë po e përdorni pikturën tuaj?
Është një grafikë e vjetër e bërë në vitet ‘80 dhe po e ripërpunoj me një mendim të freskët. Më këtë ide dua të adaptoj diçka me mendimin e ftohtë të ditëve tona. Kam përdorur një grafikë me tre ngjyra, por gjatë kësaj kohë unë kam shtuar më shumë ngjyra si dhe drita e ftohtë që në atë kohë simbolizonte gjithçka që kërkonte partia. Idetë e këtij sistemi ishin pothuajse false dhe nuk ilustronin diçka konkrete për të ndihmuar njerëzit në të ardhmen e tyre. Ishte gjithçka demagogji. Çdo gjë bëhej nëpërmjet direktivave të partisë, pavarësisht se i shërbenin apo jo punës aktuale apo jetës së punonjësve. Në shumë gjëra tregohet një falsifitet.
Shoh që në punën tuaj dominon bluja dhe e kuqja, e cila përfshin një pjesë të mirë të tablosë. Çfarë keni dashur të ilustroni me këto dy ngjyra?
Kam dashur të paraqes ngjyra të ngrohta dhe ngjyra të ftohta. Të ftohtën e kam përdorur vetëm tek drita, e cila sinjifikon dritën e partisë të asaj kohe, e cila ka qenë shumë e ftohtë që nuk solli ndonjë risi dhe nuk i shërbeu aspak jetës së popullit. Ndërsa e kuqja është me një kontrast të matur. Ne duhet ta kujtojmë atë kohë që të paktën mos t’i rikthehemi edhe një herë asaj periudhe të padëshirueshme. Duhet të jemi me këmbë në tokë sepse, ne, shpesh herë duam apo s’duam i përçmojmë shumë gjëra, duke qenë se i kishte rrënjët apo zanafillën në kohën e komunizmit. Jo gjithçka ka qenë e keqe ngaqë i përkiste asaj periudhe, por direktivat nuk i shërbenin zhvillimit.
Nëse kjo tablo do të krijohej në atë kohë, çfarë do të ndodhte?
Unë i kam ndryshuar krijimtarisë sime vetëm ngjyrat. Nëse do të ishte një punë e asaj kohe, sigurisht që pasojat mbi mua do të ishin shumë të rënda. Nëse do të ekspozohej kjo tablo, unë së pari do të kritikohesha shumë nëpër ato dyert e shkallëzuara të sistemit komunist, ky proces pune mund të shkonte edhe deri në gjyq dhe si përfundim mund të përfundoja në një burg të errët siç kanë përfunduar shumë autorë në atë kohë vetëm duke paraqitur punimet e tyre.
Me pak fjalë, cili është objektivi i punës suaj mbi muret e Galerisë?
Krijimtaria ime e re dua që të shërbejë si bazë për të ri-interpretuar këtë imazh nëpërmjet ngjyrave të shtuara dhe burimeve të dritës. Në përgjithësi kolektivizimi nuk është diçka negative, apo ajo fryma e grupimit. Nëpërmjet kësaj pikture dua që të mos ndodhë asgjë e falsifikuar dhe e maskuar, për të përçuar atë çka i intereson njërës palë.
Një veçori të pikturës suaj...
Është një pikturë e veçantë, por mund t’ju them se në cep të saj kam përfshirë edhe këndin e emulacionit, pra këndin ku punonjësit e asaj kohe vinin objektivat që donin të arrinin, çfarë donin të arrinin, të cilat në fakt edhe mund të mos arriheshin asnjëherë, synimet që kishin. Aty vendosej se cili prej punonjësve kishte prekur arritjet më të mëdha, që ndoshta edhe mund të mos ishte personi i duhur që i meritonte ato arritje, megjithatë falsifiteti dhe të paqenat ishin dorë e fshehtë.
Kjo pikturë kërkon të influencojë tërësisht atë frymën e “fillit të kuq” të partisë tek masa. Ka një kontrast mes partisë dhe popullit. Ky i fundit kishte një dritë të zbehtë dhe shumë të venitur, ndërsa fryma e partisë duhet të ndërhynte deri në dyshekun bashkëshortor. Paraqitja e femrës nuk do të tejçonte bukurinë e pamjes së jashtme, por fuqinë e punës. Madje, ajo shpeshherë pikturohej si një fizik muskuloz që tregonte krahun e fuqisë punëtore.
Cili është ndryshimi i të pikturuarit në mur dhe asaj në telajo?
Në fakt, ky nuk është një mur i posaçëm për të pikturuar. Ka vështirësi sepse e thith ngjyrën menjëherë dhe kombinacionet e ngjyrës krijohen me pak vështirësi. Por kjo ishte vetëm njëra anë, sepse në anën tjetër ne shfrytëzuam ngjyrën rozë të murit, e cila është quajtur “Salla e Kuqe”. Pas pak kohësh do të ekspozohen edhe shumë piktura të realizmit socialist, por misioni i kësaj ekspozite është që ne të tejçojmë edhe një farë ndryshimi të këtyre pikturave, duke u përshtatur sa më mirë me tendencat e reja në art, ashtu siç perceptohen sot. Këto piktura do të prishen gjatë proceset të rikonstruktimit të Galerisë Kombëtare të Arteve dhe do të vendosen piktura origjinale të realizmit socialist, ashtu siç i kemi krijuar atëherë, ashtu siç i kemi menduar. Ato kanë vlerë më tepër për performancë, sepse është diçka e bukur, sepse kjo është një mënyrë shumë e mirë që gjenerata e re të kuptojë funksionimin e sistemit përpara viteve ‘90, pra ende pa rënë komunizmi, por gjithashtu nuk humbet, edhe mundësia për të bërë një krahasim të shpejtë me ditët e sotme.
Po ju vetë si e keni përjetuar artin e realizmit socialist?
Në atë kohë ka dominuar gjithnjë dashuria për pikturën, ajo që ka qenë baza. Më tej, kufizimet që kemi ndjerë kanë qenë pengesë për të ecur përpara, por edhe kemi shfrytëzuar momente të veçanta, për të realizuar dëshirën dhe pasionin tonë. Më kujtohet një rast kur mua së bashku me bashkëshortin tim, Agimin, pasi siç dihet edhe ai është një piktor i njohur i artit shqiptar, kur na dërguan në Vermosh. Siç dihet për nga pozita gjeografike është një zonë e kufizuar nga të tria anët me territore të huaja, pra nga kufiri i Kosovës, Malit të Zi dhe të Shqipërisë. Ne, edhe pse ishim artistë dhe gjendeshim në mes të kufijve, ishim të detyruar të pikturonim vetëm pjesë dhe natyrën që i përkiste tokës zyrtare shqiptare. Madje, më kujtohet se sa herë që kthenim kokën për të parë ndonjë peizazh të ri, qoftë edhe pa dashje, na tërhiqej vëmendja nga oficerët apo nga forca të tjera komanduese. Ishte e ndaluar edhe të pikturoje një zonë që ndoshta nuk i përkiste emrit shqiptar. Por, tani mund të them pa frikë që edhe pse nën mbikëqyrje dhe e ndaluar, ne kemi arritur të çonim deri në fund një synim tonë. Ka pasur shumë kufizime si në çdo pjesë tjetër të jetës. Sa i përket artit më konkretisht ishte shumë i izoluar. Donin që interpretimi të ishte sa më realist dhe jo shumë figurativ. Po ashtu edhe kushtet e jetesës kanë qenë shumë të vështira, madje mungonin edhe elementët më të domosdoshëm të jetesës, gjë që e vështirësonte tej mase punën tonë prej artisti. Por, ne kemi gjetur mënyrën se si të argëtoheshim nëpërmjet pikturës. Kemi krijuar aq shumë sa piktura na e ka plotësuar këtë lloj boshllëku. Sot i kujtojmë si shaka dhe na vjen për të qeshur me fatkeqësitë tona në atë kohë.
A keni krijuar gjatë kësaj kohe edhe piktura të këtij lloji, pra të kategorisë së ndaluar?
Po sigurisht që kam pasur guximin që të krijoj edhe piktura të kësaj natyre. Kam marrë përsipër rrezikun dhe kam vijuar. Fshehurazi në studio kemi pasur piktura paksa të abstraguara, nudo, të cilat ishin të ndaluara kategorikisht. I mbaj ende, por i ruaj më tepër si një relikte. Nuk më vinte mirë që brenda punës sime të futej edhe një parullë vetëm në nder të partisë, apo elementë që tregonin gjasme një zhvillim të madh të vendit, hapat e mëdhenj që po ndërmerrte shteti i izoluar, si për shembull punonjës të elektricitet, shtylla të hekurta si shkallë të zhvillimit etj.
Ka një titull piktura?
Ka qenë një cikël grafik i fabrikës së përpunimit të drurit në Shkodër. Ka pasur disa momente dhe kjo ka qenë momenti i leximit të shtypit përpara popullit kur fillonin turnet.
Si është të ri-pikturosh?
Është gjë e bukur. Ka ndjesi të çuditshme, sepse edhe gjatë kohë së pikturimit e kujton sesa e ngurtësuar ke qenë më përpara. Qoftë sa i përket tematikës, qoftë karakterit, gjetja e tipave apo elementë të tjerë.