E Shtunë, 31 Tetor 2026

Treviso; Vranë çiftin italian, burg përjetë për Naim Stafën, 20 vjet për rumunin

Një shqiptar është dënuar me burgim të përjetshëm në Itali. Naim Stafa është dënuar me “burgim të përjetshëm”, ndërsa me 20 vjet burg rumuni Alim Bogdaneanu, të dy të akuzuar fajtorë për vrasjen e çiftit italian Pelliçiardi. Vendimi është marrë dje nga gjyqtarja Elena Rossi, e cila nëpërmjet gjykimit të shkurtuar dhe në një seancë me dyer të mbyllura shpalli dje vendimin në Gjykatën e Trevisos. Çifti italian u vra në gusht të 2007-s në Gorgo të Trevisos, në një tentativë për vjedhje. Ekzekutori i vrasjeve ishte një tjetër shqiptar, Artur Lleshi, i cili u vetëvra disa muaj më parë në qelinë ku ishte vendosur pas krimit. Ndaj vdekjes se tij reagoi menjëherë i biri i viktimave. Ai deklaroi për mediat se drejtësia u vu në vend. Ndërkohë, në procesin ndaj dy të akuzuarve të tjerë që u zhvillua me dyer të mbyllura, u rindërtua dhe njëherë skena e krimit se si rrodhën ngjarjet atë natë. Lleshi, ndërsa ishte në banesën e çiftit Pelliçiardi, ka qenë në kontakt telefonik me Stafën, me të cilin diskutonte se çfarë do të bënte përballë kundërshtimit të çiftit, të cilët refuzonin të dorëzonin çelësat e kasafortës së vilës në të cilën punonin si roje. Rumuni Bogdaneanu kishte informuar dy shqiptarët mbi zakonet e çiftit. Në përfundim të seancës, Prokurori i Përgjithshëm i Venecias, Ennio Fortuna, theksoi se “drejtësia ka funksionuar mirë. Prokuroria e Trevisos ka bërë gjithçka duhej dhe gjykatësi ka qenë i drejtë dhe i saktë. Këtë radhë askush nuk mund të thotë se drejtësia ka qenë shumë e ashpër. Ka qenë e drejtë dhe e ekuilibruar”, - bëri të ditur Prokurori i Përgjithshëm. I kënaqur për vendimin ka qenë edhe djali i viktimave, Daniele, i cili u shpreh në përfundim të seancës se “gjithsesi, tragjedia mbetet një plagë që hapet çdo ditë dhe që të bën gjithmonë keq. Duhet vazhduar përpara më të qetë. Forcën nuk mundet ta blesh”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›