Apeli dënon babë e bir për trafik femrash
Krimet e Rënda
Astrit e Nelgert Pata akuzoheshin se kishin trafikuar në Norvegji një femër. Duhet të vuajnë 31 vite burg
TIRANË- Gjykata e Apelit për Krime të Rënda në kryeqytet, vendosi të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda e cila i dënoi në total babë e bir me 31 vjet burg dhe 13 milionë lekë të reja gjobë.
Astrit e Nelgert Pata, tashmë duhet të paguajnë edhe 13 milionë lekë të reja gjobë pas vendimit të djeshëm të Apelit. Dy të pandehurit kishin ankimuar çështjen pranë Gjykatës së Apelit duke kërkuar prishjen e vendimit dhe pushimin e akuzave ndaj tyre, duke i cilësuar trillime dhe të pabaza nga kallëzuesja me inicialet S.K. dhe A.H.
Gjithashtu, ankuese i këtij vendimi ka qenë edhe Prokuroria e Krimeve të Rënda e cila ka kërkuar të ndryshohet vendimi i dënimit dhe t'i shtohet të pandehurve dhe nga 3 vite burg. Sipas vendimit të djeshëm të togave të zeza, se vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda të datës 19 janar 2009, i dhënë nga pesëshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Gurali Brahimllari është i drejtë.
Për këtë fakt, lihet në fuqi vendimi i dënimit të tyre përfundimisht me 31 vjet burg dhe 13 milionë lekë të reja gjobë. " I pandehuri Aleks (Astrit) Pata deklarohet fajtor për kryerjen e veprës penale të "trafikimit të femrave për prostitucion", në bashkëpunim në dëm të shtetases me inicialet S.K. dhe dënohet me 15 vjet burg e 6 milionë lekë të reja gjobë"-thuhet në vendimin me nr.3 të kësaj gjykate.
Ndërsa, i pandehuri Nelgert Pata është deklaruar fajtor për kryerjen e veprës penale të "Trafikimit të femrave për prostitucion", kryer në bashkëpunim, më shume se një herë, në dëm të shtetaseve me inicialet S.K. dhe A.N. duke u dënuar përfundimisht me 16 vjet burg dhe 7 milionë lekë të reja gjobë. Sipas vendimit, i pandehuri Astrit Pata, në vitin 2004, është njohur me të dëmtuarën S.K. dhe i ka premtuar martesë dhe një jetë më të mirë në Greqi.
Pasi janë nisur të dy në vendin helen, i pandehuri, nëpërmjet dokumenteve false, e ka dërguar në Norvegji të dëmtuarën, ku e ka pritur i biri Nelgert Pata. Më pas ky i fundit e ka detyruar të prostituojë duke përfituar të ardhurat e saj, ndërsa i pandehuri Pata nga Shqipëria e ka kërcënuar në telefon, duke e urdhëruar që të vepronte siç thoshte i biri i tij në të kundërtën do t'i vriste familjen.