E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokurori Dedaj: Inspektimi ndaj meje, tendencioz

REAGIMI


TIRANË- Prokurori i pezulluar dhe "shpallur në kërkim" nga anëtarët e Këshillit të Prokurorisë, shtetasi Tom Dedaj, hedh poshtë pretendimet e Prokurorisë së Përgjithshme për "zhdukjen" e tij, duke konfirmuar se ai nuk është njoftuar për asgjë nga këshilli apo kryeprokurorja.


Ndërkohë, ndaj kësaj të fundit prokurori i pezulluar Dedaj nuk i ka kursyer edhe akuzat, duke i cilësuar zyrtarët e lartë të këtij institucioni si tendencioz ndaj punës së tij. "Ju siguroj se që nga data 22 maj 2009, ditën kur kundër meje është vendosur fillimi i procedimit disiplinor, kam qenë në Shqipëri dhe jam paraqitur çdo ditë në punë.


Nuk jam fshehur në asnjë rast dhe jam i gatshëm të përballem më këdo, edhe me anëtarët e Këshillit të Prokurorisë. Theksoj se unë nuk jam kontaktuar në asnjë rast, nga asnjë person konkret që të më ketë kërkuar të më bëjë me dije apo për të më ketë dorëzuar njoftimin përkatës",-thekson prokurori Dedaj duke kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë së Përgjithshme se prokurori i pezulluar nuk pranon të marrë njoftimin për mbledhjen.


Gjithashtu në reagimin e tij prokurori Dedaj saktëson se "gjatë kontrollit të ushtruar nga Inspektorët e Prokurorisë së Përgjithshme në dosjet e mos filluara dhe procedimet penale të pushuara në konkluzione, në asnjë rast nuk përmendet fjala shkelje.


Në pjesën përmbyllëse të aktit të kontrollit si konkluzion thuhet se "për sa më sipër në veprimtarinë e prokurorit Tom Dedaj, për periudhën objekt kontrolli, konstatohen të meta e dobësi veçanërisht në procedimet e dërguara për gjykim. Në të gjithë aktin si edhe në përmbyllje të tij nuk është përmendur nga kontrolluesit termi shkelje, por të meta e dobësi. Për rrjedhoje, unë do të thoshja: "A ka njeri që në veprimtarinë e tij të përditshme nuk ka të meta e dobësi"-thuhet në reagimin e prokurorit.


Sipas tij, "tërë procesi i kontrollit është tendencioze, i iniciuar, përpiluar dhe menaxhuar nga persona të veçantë për të më goditur dhe se procedura e ndjekur e dërgimit në Këshill, po përdoret vetëm sa për fasadë e për të larë gojën",-shtoi prokurori Dedaj, duke konfirmuar se edhe pse është i pezulluar që nga maji, në fillim të qershorit i është ndaluar edhe paga.


"Me pezullimin pa afat nga detyra, dorëzimin e dosjeve dhe ndërprerja e pagës më konvertojnë thjesht në një person të papune dhe si i tillë, nuk kam asnjë lidhje me Prokurorinë"-shtoi ai, duke konfirmuar se edhe në mbledhjen e radhës nuk do paraqitej në Këshillë, pasi sipas tij, i përgjigjet vetëm ftesës së Presidentit të Republikës Bamir Topi. Ndërsa, zyrtarët e prokurorisë, konfirmuan edhe dje, që prokurori Dedaj nuk pranon të marrë njoftim dhe për katër herë është shtyre mbledhja e anëtarëve të Këshillit të Prokurorisë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›