Zjarret, vendorët ngrenë zërin për mungesat në infrastrukturë
MBROJTJA/ Një takim i prefektit Deliallisi ka çuar në ngritjen e problemeve që kanë njësitë vendore
ELBASAN - Mungesë karburanti për zjarrfikëset, riparim i mjeteve në rastet kur kanë defekte, madje edhe mungesa e baterive për radiot e komunikimit ishin vetëm disa nga problemet e ngritura në takimin që prefekti i qarkut të Elbasanit, Shefqet Deliallisi, ka organizuar me drejtuesit e njësive vendore dhe të strukturave të tjera.
Problemi që u ngrit nga kryekomunarët ishte ai i mungesës së karburantit për mjetet zjarrfikëse, problem ky i vitit të kaluar. Gjithashtu për ta shqetësim ishin pjesët e këmbimit, pasi nga përvojat e mëparshme ka rezultuar se janë regjistruar defekte që e kanë penguar efektshmërinë e zjarrfikësve.
Shqetësimit të ngritur nga kryekomunari i Gramshit iu përgjigj drejtuesi i zjarrfikësve, Aleks Hodo, i cili tha se këtë vit nuk do të jetë më problem karburanti, ndërsa për riparimin e mjeteve ai tha se raste mund të ketë, por në mjetet e gatishmërisë kjo gjë është zgjidhur. Në takim ka marrë fjalën edhe drejtori i Shërbimit Pyjor, Haxhi Murati. Ai tha se me rritjen e temperaturave do të ketë më tepër rrezik për zjarre.
Murati theksoi se inspektorët e shërbimit pyjor janë në monitorim të zonave ku ka pasur me tepër probleme. Përsa i përket komunikimit, ai ngriti shqetësimin se radiot e komunikimit të Drejtorisë së Pyjeve janë jashtë funksionit, pasi bateritë e tyre janë të veçanta dhe zgjasin vetëm një vit duke konfirmuar faktin se këtë vit nuk janë ndërruar.
Në takimin me kryekomunarët, specialistë të pyjeve, zjarrfikësve dhe drejtues të policisë, prefekti Deliallisi ka kërkuar njoftim sa më të shpejtë në rast zjarri, gatishmëri të shërbimeve zjarrfikëse, vënie në funksion dhe shtim të hidrantëve, si dhe një bashkëpunim më të ngushtë mes të gjitha strukturave për parandalimin në kohë të zjarreve.
Po kështu, prefekti ka kërkuar kontroll të imtësishëm në ato aktivitete private, ndërmarrje shtetërore ose private që janë më të ekspozuara ndaj zjarrit për masat që kanë marrë në këtë drejtim. Nga ana e vet Deliallisi theksoi edhe kujdesin që duhej treguar për zonat pyjore të Librazhdit, Gramshit dhe Elbasanit, por edhe të ullishtave, disa herë pre e zjarreve një vit më parë. Po kështu u kërkua edhe evidentimi i përdoruesve të kullotave dhe këshillimi i tyre për afrimin e ditëve të nxehta dhe mjaft të rrezikshme për rënien e zjarreve në pyje e kullota.