E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lypësit e shumtë "pushtojnë" Pogradecin

SEZONI TURISTIK/ Veç pushuesve të shumtë, qytetit në buzë të liqenit i shtohen edhe ata që lypin rrugëve


Shumë të vegjël lëvizin nga qytetet e tjera për në qytetin turistik për të përfituar nga bujaria e njerëzve të shumtë


POGRADEC - Në verë Pogradecit i dyfishohet popullsia nga pushuesit e shumtë të huaj dhe vendas që vijnë për të pushuar, por njëkohësisht ky mbipopullim ka sjellë një numër të madh lypësish që prej disa ditësh kanë "pushtuar" qytetin turistik.


Ata i has kudo, nëpër shëtitore, tek pikat kyçe të qytetit, në plazh, në kafe, në bare dhe restorante, i ndesh madje edhe nëpër korridore institucionesh duke hapur dyert e zyrave si pa të keq dhe duke kërkuar lëmoshë.


Madje, i ndesh nëpër pavione spitali dhe në hyrje të varrezave të qytetit, në pikat turistike e gjetkë. Lypësit duket se kanë pushtuar Pogradecin. Gjahu i majmë i tyre ngelen autobusët e turistëve të huaj. Shpeshherë i sheh që grinden për zonat që mbulojnë nëpër kënde të ndryshme. Ata i përkasin të gjitha moshave e të dy gjinive. Janë të moshuar, burra dhe gra, fëmijë.


Biznes me lypës


Në krye të rrugës "Rinia" dy lypës të vegjël nga dialekti që flasin dallohen që nuk janë pogradecarë. Njëri prej tyre është 11 vjeç e quhet Renato, ndërsa tjetri, 13 vjeç, quhet Avdi. Thonë që janë nga Elbasani dhe vijnë me "profesorin" e tyre.


Ai i sjell me furgon çdo ditë. Ata vishen të gjithë me bluza sporti dhe "profesori" u ka thënë që nëse ndonjë polic i ndalon rrugës dhe i pyet, duhet të thonë se janë një klasë sportive që shkojnë të luajmë futboll në Pogradec. Por sapo mbërrijmë në qytetin buzë liqenit ata veshin rrobat e tyre zhele-zhele. Madje, ndonjëri fashon krahun për keqardhje. Ata punojnë gjatë gjithë ditës deri në orët e vona të natës, kur nisen në drejtim të qytetit të tyre .


"Profesori", siç e quajnë lypësit, iu jep në drekë nga një hamburger ndërsa kur shkojnë për në shtëpi nga një 200 lekë të reja. Kur i pyet, të thonë se mesatarisht secili fiton nga 2 000 lekë të reja në ditë. "Dje, - thotë Renato, - erdhën turistë grekë dhe mua më dha një grua e shëndoshë 20 euro". Avdiu thotë se një turisti që i kishte kërkuar lëmoshë, i kishte dhënë vetëm 5 euro. Por këto ishin prej turistëve që zbritën nga autobusi, ndërsa gjatë ditës ata fitojnë para të tjera. Dy djemtë i qëndrojnë besnikë "profesorit". Nuk e japin emrin e tij, madje nuk pranojnë të dalin në fotografi


Por, veç lypësve të vegjël që vijnë të organizuar nga Elbasani, ka edhe të tjerë. Tasim Minaj është nga Elbasani thotë që ka mbi 20 vjet që vjen çdo verë në Pogradec. "Fitoj mirë, - thotë ai. - Rreth 30 mijë lekë të vjetra në ditë. Madje, më del të pi edhe ndonjë birrë në darkë. Ndërsa për të fjetur, fle jashtë në park..." Por lypësit vendas janë të mëzitur në verë, sepse, siç thonë ata, "po na e marrin tregun lypësit jabanxhinj".


Lypës përtej kufirit


Ka shumë pogradecarë që gjatë verës shkojnë të punojnë në Strugë dhe Ohër punë të ndryshme bujqësie apo ndërtimi. Një pjesë e mirë prej tyre marrin edhe fëmijët e vegjël me vete. Ndërkohë që ata punojnë në ndërtim apo bujqësi, fëmijët e tyre lypin rrugëve të Strugës dhe të Ohrit nëpër holle të hoteleve dhe restoranteve.


Maku është një lypës që prej tre vjetësh punon në Maqedoni. Ai është 14 vjeç. Ai thotë se këtë vit ka rënë paraja dhe as vendasit e as turistët nuk e lëshojnë dinarin e euron si më parë. Maku thotë se këtë vit që ka rënë pazari mezi fiton 2000 dinarë në ditë që me paranë shqiptare shkon rreth 4 500 lekë të reja. "I ka fajet kriza, - thotë Maku. - Më tepër leverdi ke të shkosh në Greqi, sidomos në Selanik. Tani në verë ka shumë turistë anglezë dhe gjermanë. Ata e lëshojnë paranë, nuk janë morramanë si këta tanët".


Ai thotë se ka mbi 20 shokë në Greqi që punojnë lypës. "Babai, - thotë Maku, - është i kënaqur me paratë që fitoj". Dhe vërtet, në Selanik mund të gjesh shqiptarë. Një muzikant pogradecar qëndron poshtë monumentit të Aleksandrit të Madh të Maqedonisë në qytetin grek. Enver Ademi quhet dhe është rreth 50 vjeç. Ai i bie saksit me melodi të ndryshme dhe në një kuti që ndodhet poshtë këmbëve të tij, kalimtarët e rastit i hedhin para.


Babai i shtatë lypësve


Ismail Shuli është një mesoburrë i cili ka shtatë fëmijë. Të shtatë janë lypës. Katër prej tyre që janë mbi 16 vjeç, tashmë iu vjen turp të lypin dhe mbledhin kanaçe. Ndërkohë tre fëmijët e tjerë vazhdojnë të lypin rrugëve të qytetit. "Çfarë të bëj? - thotë Ismaili.


- Me një ndihmë ekonomike a mund të mbahen shtatë fëmijë? E keqja më e madhe është se të gjithë fëmijët i kam analfabetë. Unë së bashku me gruan kemi mbaruar nga katër klasë dhe dimë shkrim e këndim, ndërsa fëmijët ngelën qorra pa shkollë.


Janë ca fondacione të huaja që u japin nga një vakt buke, por kjo nuk mjafton". Ismaili është vetëm një nga familjet që vuan. Të tjetër sorrollaten ose sillen fshehurazi pas fëmijëve duke u lutur që moti të mbajë mirë e kështu ata të fitojnë sa më shumë para.


Somario: Ata vishen të gjithë me bluza sporti dhe "profesori" u ka thënë që nëse ndonjë polic i ndalon rrugës dhe i pyet, duhet të thonë se janë një klasë sportive që shkojnë të luajmë futboll në Pogradec. Por sapo mbërrijmë në qytetin buzë liqenit ata veshin rrobat e tyre zhele-zhele

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›