Apeli djeg 21 Janarin, vetëm 4 vite burg për 4 të vrarë!
Protestuesit u vranë nga pakujdesia, familjarët: Do marrim hak
Ndrea Prendi, dhe Agim Llupo, janë cilësuar fajtorë nga pakujdesia, ndaj ata janë dënuar vetëm me katër vite burg në total, edhe pse nga armët e tyre kanë mbetur të vrarë dy prej protestuesve të 21 Janarit. Vendimi u dha ditën e djeshme në Apel, nga trupa e gjyqtarëve që drejtohej nga gjyqtari Agim Bendo. Ish kreu i gardës Ndrea Prendi që u akuzua se vrau protestuesin Faik Myrtaj do vuajë vetëm një vit burg, ndërsa ish gardisti Agim Llupo që akuzohet se vrau Ziver Veizin u dënua me tre vite. I pafajshëm nga kjo çështje doli i akuzuari i tretë nga prokuroria, shoferi i Prendit, Margarit Kume. Gjykata e Apelit dha vendimin përfundimtar ditën e djeshme ku mungonin në seancë dy gardistët e akuzuar për vrasjen e 3 protestuesve në 21 Janar 2011. Por lidhur me këtë vendim të pazakontë, të afërmit e viktimave të 21 Janarit, kanë reaguar duke bërë apel për drejtësi.
Ankimimi
Edhe pse vendimi i Apelit ndryshoi vendimin e Gjykatës së Tiranës, si të pabazuar në ligj, sërish vendimi i Apelit për dy gardistët dha vetëm katër vite burg për të akuzuarit. Por edhe pse reagimet kanë qenë të shumta ditën e djeshme, jo vetëm nga familjarët e viktimave të protestës së 21 Janarit, në lidhje me vendimin e pazakontë dhënë nga Gjykata e Apelit sërish avokati i Prendit e ka quajtur jo të drejtë dënimin me një vit burg të ish kreut të gardës Prendi. Në do të ndjekim hapat e ankimit, e do të jetë gjykata Supreme që do të thotë përfundimisht fjalën e fundit për këtë vendim- tha avokati mbrojtës i Prendit, Gjokutaj. Gjokutaj theksoi se do të ndjekë shkallët e gjyqësorit deri në nxjerrjen e pafajshëm të Ndrea Prendit.
Provat
Dje në Gjykatën e Apelit, Prokuroria kërkoi të prishet dënimi i Gjykatës së Tiranës dhe të dënohen me burg dy gardistët që akuzohen për vrasjen e protestuesve. Procesi gjyqësor që konsiderohet si patatja e nxehtë e drejtësisë shqiptare nisi me kërkesën e prokurorisë ndaj gardistëve Ndrea Prendit dhe Agim Llupos. Prokurori Shkëlqim Hajdari kërkoi që të prishet vendimi i Gjykatës së Tiranës, ndërsa kërkoi të njëjtin dënim dhe në Gjykatën e Tiranës. Sipas prokurorëve ekzistojnë prova balistike që provojnë se ish-kreu i Gardës, Ndrea Prendi vrau Faik Myrtajn sepse një copë predhë e gjetur në trupin e Myrtaj përkonte me plumbin që ka qëlluar nga pistoleta e Prendit. Ndërsa gardisti Agim Llupo, sipas prokurorisë vrau protestuesit, Ziver Veizin dhe Hekuran Dedën. Prokurori u shpreh se gjykimi i çështjes në Shkallën e Parë të gjykatës ka qenë i paplotë dhe nuk janë marrë parasysh provat.
Braçe: Të rihetohet 21 janari, të përfshihet dhe Berisha
Lidhur me vendimin e marrë nga Apeli për çështjen e 21 Janarit ka reaguar dje edhe Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe, i cili ka theksuar se ngjarja e 21 janarit duhet të ri hetohet. Deputeti Braçe e ka cilësuar çështjen e 21 janarit si të gjithë shqiptarëve, pasi sipas tij një pjesë e mirë të votave që kjo qeveri mori në 23 qershor, i ka marrë edhe nga ajo pjesë e shqiptarëve që smund të falë vrasjen e protestuesve. Për këtë, Braçe ka kërkuar ri hetim të kësaj çështje, si dhe përfshirje në hetime edhe të urdhërdhënësve dhe ekzekutorëve. Kam shkruar për të shpërfillur këtë vendim të Apelit të Tiranës. Duhet që kjo çështje të ri hetohet nga e para. Këta gjyqtarë në e kanë rikrijuar mundësinë për të ri hetuar çështjen. Ata janë vrasje me dashje, këto vrasje janë të vërtetuara në sytë e të gjithë shqiptarëve dhe të ndërkombëtarëve. Qeverisë së re i lind detyrimi të nxjerrë nga varri provat ku Berisha futi ngjarjen e 21 janarit për të vendosur drejtësinë. Berisha ka marrë përsipër vrasjet, ka thënë se nëse përsëriten protestat do vriste edhe 400 të tjerë. Këto janë faktet. Fakti që një njeri që ka pasur në dorë Ministrinë e Brendshme të përjashtohet nga gjykimi, nuk është i drejtë. Po kërkoj hetimin e vrasjeve si një krim kompleks nga i pari, tek urdhërdhënësi, e deri te ekzekutorët. Duhet të nxirren faktet në të gjithë institucionet përgjegjëse, pasi ka ndodhur që pas ngjarjeve edhe janë fshehur provat, u shpreh Braçe.
Renato Myrtaj: Vendimi i turpshëm, apel për drejtësi Ramës
Familjarët e viktimave të 21 Janarit kanë reaguar menjëherë ditën e djeshme fill pas vendimit të apelit për dënimin e dy gardistëve Prendi e Llupo. Familjarët e katër protestuesve të vrarë më 21 Janar, kanë deklaruar se ndihen të fyer nga vendimi i Gjykatës së Apelit në Tiranë, për dënimin e dy gardistëve me motivacionin “vrasje nga pakujdesia”. Djali i demonstruesit të vrarë Faik Myrtaj, kërkoi që drejtësia të vendoset në vend dhe të dënohen ata që u dhanë urdhrin gardistëve për të qëlluar ndaj protestuesve. Renato Myrtaj shprehu besimin se qeveria e re e kryeministrit Rama do ti çojë gjërat në vend. Ky vendim nuk më çudit aspak, sepse tërë këta gjykatës që Berisha ndërroi do ishin në anën e tij. Ndërroi disa gjykatës, sdo mend që atë do mbështesin, jo mua e të afërmit e tjerë të protestuesve që u vranë pa asnjë motiv më 21 Janar. Vetëm unë e di se si ndihem. Shpresojmë tek kryeministri Edi Rama, jam tepër i bindur që nuk do ta lerë aty, çdo gjë do ta çojë aty ku duhet, jo vetëm për çështjen e 21 janarit, por për çdo gjë që ka ndodhur në këtë vend ka thënë ndër të tjera Renato Myrtaj. Sipas tij sistemi i parë që duhet të riformohet në vend është drejtësia, por jo me këta gjykatës të korruptuar. Momentalisht nuk kam besim tek gjykatat. Të dënohet ai që ka dhënë urdhrin, autori të verë në vendin e duhur.- ka bërë apel ditën e djeshme djali i protestuesit të vrarë Faik Myrtaj.
Motra e Ziver Veizit: Do marrim hak me çdo kusht
Por ditën e djeshme pas vendimit të Apelit kanë reaguar edhe familjarët e të ndjerit Ziver Veizi të cilët janë shprehur të zhgënjyer nga vendimi i Gjykatës së Apelit. Motra e Veizit deklaroi se vendimi i Gjykatës është tallës dhe fyes, madje sipas saj të afërmit e Veizit do të marrin hak për të. Sa herë dëgjoj nga këto gjëra, më duket sikur ma vrasin vëllain përsëri. Nuk do ta lemë me kaq. Po e qaj vëllain për herë të dyte e për herë të tretë, e për herë të trembëdhjetë.-deklaroi motra e Ziver Veizit.
Vëllai i Hekuran Dedës: Gjykatësit kriminelë
Vëllai i Hekuran Dedës, Zabit Deda akuzoi gjykatësit, duke e cilësuar të papranueshëm faktin se një person që ka vrarë të dënohet vetëm me 1 vit burg. Duke dhënë këtë lloj vendimi, edhe gjykatësit dua ti quaj kriminelë. Gjykatat mundohen ti fshehin gjërat. Ne i kemi parë, e dimë kush i ka vrarë. Ata që kanë dhënë urdhër për të vrarë të pafajshmit janë kriminelë, pasi kanë gjuajtur me armë drejt njerëzve të pafajshëm në bulevard, ndërsa sot dënohen me 1 vit burg, ky është turp.- deklaroi Zabit Deda.