E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi reagon për dorëheqjen e Spahiut: Duhet respektuar si vendim individual

Share

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, që mban dhe postin e kreut të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ka reaguar për dorëheqjen e nënkryetarit të këtij institucioni, Kreshnik Spahiu. Në një reagim të pak minutave më parë, Topi tha se dorëheqja si akt është individuale, ndaj duhet të respektohet. Më tej ai tha gjithashtu se Gjykata Kushtetuese duhet respektuar duke iu referuar kërkesës së Spahiut drejtuar kësaj gjykate për ligjshmërinë e komisionit parlamentar hetimor të ngritur kundër tij. Dorëheqjet janë individuale dhe duhen respektuar. Spahiu ka respektuar të drejtën e tij dhe sdo të doja të bëja asnjë lloj interpretimi. Mund ta keni mundësinë dhe në ditët në vazhdim të merrni arsyet e plota. Unë respektoj aktin e tij, tha presidenti. Topi tha se do të nisë puna për emrin pasues të Spahiut. Institucionet nuk mund të qëndrojnë me vende vakante. Është nevojë imediate që në atë vend të emërohet dikush tjetër. KLD vërtet ka presidentin për kryetar, por aktivitetin gjerësisht e mbulon zëvendëskryetari, theksoi Topi duke paralajmëruar zgjedhjen e një emri të ri në një kohë të afërt.

 

Zoti President, me cilësinë tuaj si Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, a keni ndonjë koment mbi dorëheqjen e zotit Kreshnik Spahiu sot?

Ju e dini që dorëheqjet që janë individuale, patjetër që duhet të respektohen si të tilla. Ai ka respektuar një të drejtën e tij dhe nuk do të dëshiroja që të bëja asnjë lloj intepretimi. Kolegët tuaj e kanë pasur zotin Spahiun sot drejtpërdrejtë. Mund ta keni edhe në ditët në vazhdim për të marrë arsyet e plota, sepse një pjesë të arsyeve ai i ka thënë. Gjithsesi unë respektoj aktin e tij.

A është i ligjshëm Komisioni Parlamentar për shkarkimin e zotit Spahiu? A është kompetencë e Parlamentit apo e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kryetar i të cilit ju jeni?

Më lejoni të mos interferoj në këtë çështje për sa kohë, me sa kam dëgjuar sot, zoti Spahiu e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Nëse nuk do ta kishte në Gjykatën Kushtetuese, unë mund të kisha dhënë një mendim timin personal. Për sa kohë është në Gjykatën Kushtetuese, për ta respektuar atë institucion që është garanti i Kushtetutës, të presim të shprehet. Sigurisht që do të shprehet më mirë se unë. Do të shprehet si Institucion dhe me të gjitha termat bazë juridike për këtë çështje.

A do të propozoni së shpejti një emër?

Natyrisht ju e dini që institucionet nuk mund të qëndrojnë me vende vakante. Është nevojë imediate që menjëherë në atë pozicion të jetë dikush tjetër, sepse e dini që Këshilli i Lartë i Drejtësisë vërtet ka në krye Presidentin si Kryetar i KLD-së, por të gjithë aktivitetin administrativ, me ligj, me Kushtetutë, e mbulon Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kështu që me siguri në një mbledhje të afërt patjetër që do të kemi një emër tjetër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›