Apeli final i Këshillit të Evropës: Të ndërpritet bojkoti dhe të rifillojë jeta demokratike

KiE vlerëson se për miratimin e reformave në parlament, duhet konsensusi i të dy palëve politike, për të konfirmuar kështu aspiratën e integrimit evropian të Shqipërisë. Rusmali: Strasburgu i tregoi sërish Ramës se vistoja për kutitë jepet nga Kushtetuesja ose Komisioni i Venecias
Këshilli i Europës reagon përsëri lidhur me situatën politike në Shqipëri. Përmes një deklarate publike, byroja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës bën apel për rifillimin e dialogut politik në Parlament, duke kërkuar që të rifillojë funksionimi demokratik i institucioneve për të ndihmuar reformat për integrimin europian të vendit. Në një deklaratë pas mbledhjes së sotme në Strasburg, thuhet se “Byroja e Asamblesë është e shqetësuar për vazhdimin e krizës politike në Shqipëri pas zgjedhjeve legjislative në qershor 2009, pavarësisht nga kthimi i pjesshëm në Parlament i deputetëve socialistë të opozitës në vijim të vizitës së Komitetit Presidencial të Asamblesë Parlamentare në Tiranë në shkurtin e kaluar”. Përsa i takon kërkesave të opozitës për hapjen e kutive, Këshilli i Evropës sugjeron që përveç Gjykatës Kushtetuese, opozita t’i drejtohet Komisionit të Venecias, për të marrë një opinion këshillues.
Deklarata e plotë për shtyp e Byrosë së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE): “Byroja e Asamblesë është e shqetësuar për vazhdimin e krizës politike në Shqipëri pas zgjedhjeve legjislative në qershor 2009, pavarësisht nga kthimi i pjesshëm në Parlament i deputetëve socialistë të opozitës në vijim të vizitës së Komitetit Presidencial të Asamblesë Parlamentare në Tiranë në shkurtin e kaluar. Më 25 shkurt, deputetët e Partisë Socialiste hynë në Parlament dhe bënë betimin, pasi bojkotuan për gjashtë muaj punimet parlamentare duke kushtëzuar prezencën e tyre në Parlament me aprovimin e dy projekt-ligjeve që kishin përgatitur, për të cilët pretendojnë se janë hartuar për t’i bërë zgjedhjet e qershorit 2009 plotësisht transparente. Më 19 mars, Parlamenti aprovoi një projekt-vendim për ngritjen e një komisioni hetimor mbi zgjedhjet legjislative të qershorit 2009. Në mungesë të një marrëveshjeje mes dy partive kryesore lidhur me mandatin e këtij komisioni hetimor, deputetët e partisë socialiste refuzuan të marrin pjesë në këtë komision. Mbledhja e tij është shtyrë dhe nuk është mbajtur. Duke patur parasysh këtë bllokim të situatës, si dhe faktin se, si manifestimet e partive të opozitës dhe ato të partisë në fuqi duhet të zhvillohen më 30 prill dhe 1 maj 2010, Byroja e Asamblesë i bën thirrje të gjithë drejtuesve politikë të garantojnë rifillimin e dialogut politik brenda parlamentit dhe të sigurojnë mbështetjen e popullit në këtë proces demokratik. Të gjitha forcat politike duhet të marrin pjesë aktivisht dhe në vazhdimësi në punimet e Parlamentit. Duhet të rifillojë pa vonesë funksionimi demokratik i institucioneve të Shtetit me qëllim që të çojë pëpara reformat urgjente të nevojshme për integrimin Evropian të vendit. Byroja sjell në vëmendje gjithashtu mundësinë, tashmë të përmendur gjatë vizitës së Komitetit Presidencial, për Gjykatën Kushtetuese për të kërkuar opinionin e Komisionit të Venecias lidhur me qëllimin e hetimit që do të zhvilohet nga komisioni parlamentar, veçanërisht për sa i përket rihapjes së kutive të votimit”.
Rusmali: Strasburgu i tregoi sërish Ramës se vistoja për kutitë jepet nga Kushtetuesja ose Komisioni i Venecias
Kryetari i Delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare në KiE, Ilir Rusmali në një prononcim për mediat tha: Byroja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës e cila u mblodh sot në Strasburg shprehu shqetësimin për situatën politike në Shqipëri si dhe kërkoi rifillimin e dialogut politik në parlament. Ju si e lexoni këtë deklaratë?
Unë besoj se deklarata është shumë e qartë shumë e drejtpërdrejtë, shumë e çiltër dhe shumë miqësore. është një deklaratë që i shërben Shqipërisë dhe shqiptarëve, dhe shqiptarët do ta mbështesin fuqimisht dhe do ta marrin seriozisht. Sigurisht që deklarata nuk ka tone alarmante, sigurisht që deklarata nuk mban anën e asnjërës nga palët, por mban anën e Shqipërisë. Deklarata nuk lë pa evidentuar faktin që në Shqipëri ka ndodhur një pjesëmarrje e pjesshme e opozitës në jetën parlamentare dhe jo e plotë, siç kërkoi Komiteti Presidencial gjatë vizitës së tij. Nuk lë pa evidentuar faktin se Komisioni Hetimor Parlamentar i ngritur me nismën e opozitës, sot është i pezulluar për shkak se opozita refuzon pjesëmarrjen e saj. Nisur nga këto zhvillime më të fundit deklarata u bën thirrje palëve që të forcojnë dialogun politik dhe t’i kthehen në mënyrë permanente jetës parlamentare, jetës funksionale sepse vendi ka nevojë për reforma urgjente. Në radhë të parë dhe mbi të gjitha për reformën zgjedhore që pretendohet aq shumë nga opozita. Por është një thirrjë që në fakt i intereson dhe opozitës, dhe opozita le ti përgjigjet asaj me sens pozitiv ashtu sikurse duhet ti përgjigjet rekomandimit që edhe Byroja e Asamblesë Parlamentare i jep së bashku me Komitetin Presidencial që erdhi në Shqipëri, pra që opozita të përdorë të gjithë instrumentet ligjorë që ka në dorë për ti kërkuar Gjykatës Kushtetuese dhe më vonë Komisionit të Venecias interpretim profesional mbi vendimin e saj, në kuadrin kushtetues për investigimin e zgjedhjeve. është një deklaratë që nuk lë mundësi për shmangie sikurse edhe deklarata e mëparshme e Komitetit Presidencial, përsëritet ftesa në radhë të parë për opozitën që në rast se ka një shqetësim në interpretimin e vednimit të kushtetueses ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe më pas Komisionit të Venecias. Të mos harrojmë që kryetari i Partisë Demokratike si dhe kryeministri i vendit këtë rekomandim serioz dhe miqësor që vinte nga ndërkombëtarët, e ka pranuar ditën që ky rekomandim u paraqit ndërkohë që lideri i opozitës zoti Rama në ditën që ky propozim u paraqit ka bërë refuzim të prerë të tij. Përsëritja e rekomandimit nga byroja do të thotë që shpresat nuk kanë humbur që zoti Rama më në fund ta pranojë këtë rekomandim.
Zoti Rusmaili cili do të jetë qëndrimi që do të mbajë mazhoranca pas deklaratës së plotë të byrosë së APKE?
Unë besoj që ne duhet të mos humbin shpresat se opozita do ti kthehet rrugës institucionale, të mos humbim shpresat se Komisioni Hetimor, Komisionet Parlamentare dhe vet Parlamenti do të kenë dhe kontributin e opozitës në reformat e mëdha që kemi. Ne jemi të vendosur të shprehim gjithë gadishmërinë tonë që ne i mirëpresim ata në çdo kohë, i mirëpresim ata me vullnet të mirë, që pjesëmarrja e tyre në jetën parlamentare veçse mirë i bën vendit veçse mirë i bën edhe vet opozitës.
Pernaska: Opozita të respektojë deklaratën e Këshillit të Europës
Përfaqësuesja e delegacionit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, deputetja demokrate Lalja Përnaska shprehet se deklarata e APKiE-së është thirrje ndaj opozitës që t’i kthehet “seriozisht punës institucionale në radhë të parë Kuverndit”. “Nëpërmjet kësaj deklarate byroja përsërit thirrjen që palët t’i kthehen punës së institucioneve. Kjo është thirrje për PS që ti kthehet seriozisht punës institucionale në radhë të parë Kuvendit”- tha Përnaska nga Strazburgu, ku po merr pjesë në punimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Ajo shtoi se ftesa e maxhorarancës për dialog “bie ndesh me murin që vë Edi Rama i cili nuk pranon bashkëpunimi”.
...