E Diel, 1 Nëntor 2026

Fronti mediatik “Bollino-rosso” harron të flasë për varrezën e re masive të komunizmit

Ndërsa politikanët përplasin “brirët” në forumin e parëndësishëm të “Media Bollino-rosso”, duke u përballur në një shkëmbim batutash që, edhe pse s’kanë qenë shumë të ashpra, kanë “monopolizuar” edicionet e lajmeve qendrore majtiste, kanë sjellë kalimin në heshtje të lajmit për gjetjen e një tjetër varri masiv nga koha komuniste. Ka qenë krenaria dhe sedra e pamposhtur e familjarëve të të ekzekutuarve politikë të komunizmit çka ka bërë të mundur zbulimin e eshtrave të 60 personave në fshatin Panahor, pranë ish-burgut të Ballshit. Dyshohet se eshtrat u përkasin ish-të dënuarve politikë të këtij burgu, trupat e të cilëve pasi vdisnin, groposeshin në varr masiv. Historiani Kastriot Dervishi thekson: “I dënuari (gjatë komunizmit) konsiderohej kurdoherë armik, qoftë edhe i vdekur”. Ligji jakobin i kuq ka qenë tmerrësisht i qartë: I burgosuri, i gjallë apo i vdekur, nuk mund të dilte nga burgu pa mbaruar dënimin. Absurde ishte gjithçka në diktaturë, aty paguhej edhe plumbi i ekzekutimit.
Afërmendsh, duhet thënë se kjo është hera e dytë që familjarë të të ekzekutuarve politike të komunizmit zbulojnë varre masive me trupat e të afërmve të tyre. Pak muaj më parë një varr i tillë u zbulua në afërsi të Tiranës.
Gjithsesi simbas kërkesave të të afërmve që kërkojnë eshtrat e te pushkatuarve politikë gjatë regjimit diktatorial komunist, thuhet se janë më shumë se 4500 persona, në rreth 200 varre masive, në të gjithë Shqipërinë.
Sidoqoftë nën tabanin e këtij vendi të bekuar gjenden akoma kufomat e mijëra individëve të pafajshëm që nuk kanë të drejtë varri, të pushkatuar nga gjakatarë të zellshëm jakobinë, dhe gjithandej ka një heshtje e dëshirë për të harruar. Shoqërisë i nevojitet drejtësia, dhe jo harresa kolektive.
Kanë kaluar pothuajse 20-vjet nga rrëzimi i diktaturës në Shqipëri dhe familjarët, nuk dinë akoma gjë për njerëzit e tyre të pushkatuar nga regjimi i Enver Hoxhës. Ai regjim diktatorial, jashtë çdo natyrë njerëzore, bënte siç i donte mideja: dënonte, pushkatonte shpallte armiq, grupe armiqësore-sabotatore, rehabilitonte kur donte, ri-dënonte prapë etj. Më një llaf, vriste e priste, kur dhe si donte etja e zotave të Komitetit Qendror. Për korrektësi, duhet thënë se për gjetjen dhe identifikimin e eshtrave të personave të ekzekutuar apo vdekur gjatë regjimit enverist është krijuar një task-forcë përkatëse me në krye Zv/ministrin e Brendshëm Z. Peka.
Por ligji i “lustracionit” të figurave publike është kthyer mbrapsht nga Gjykata Kushtetuese, çka tregon edhe një herë tjetër konfliktin e interesit që kanë disa anëtarë me këtë ligj shumë domethënës. Edhe Partia Socialiste, e tejmbushur me bijtë dhe mbesat e ish-Bllokut, me një tinëzi të paparë, si qëndrim zyrtar për largimin nga administrata publike të njerëzve që kanë bashkëpunuar me komunizmin, kurse në të vërtetë bën gjithçka për të frenuar ligjin e Lustracionit. Për të folur me fakte, theksojmë se Ligji nr. 10034, “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve”, që u përgatit nga Qeveria shqiptare, kaloi në parlament diku nga fundi i vitit 2008 (saktësisht më dt. 22.12.2008 ) për t’u pezulluar rreth dy muaj më vonë (më 16 shkurt 2009) nga Gjykata Kushtetuese, si pasojë e një numri relativisht të madh ankimesh. Dhe e dini se kush u ankua? E para: Partia Socialiste. E dyta: Shoqata e Prokurorëve, që fatkeqësisht akoma është dingas me relike të regjimit monist. E treta që u ankua ishte Komiteti i Helsinkit, i cili atëhere drejtohej nga Vasilika Hysi, sot deputete e Partisë Socialiste. Kurse vendimi përfundimtar për rrëzimin e Ligjit për Lustracionin u dha në 23 mars 2010, me gjykim si të papajtueshëm me Kushtetutën.
Mirëpo e vërteta është se Ligji i Lustracionit nuk është i papajtueshëm me Kushtetutën, por me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, që kanë qenë pjesë e sistemit të drejtësisë gjatë diktaturës komunisto-enveriste. Në Shqipëri nuk u bë si në Poloni, ku me dy ligje të posaçme nga dy vëllezërit anti-komunistë Kazinski (ndjesë pastë i sapolarguar nga kjo botë Lech Kazinski, president i Polonisë) u saksionua që çdo njeri i implikuar në sistemin e kaluar komunist nuk mund të kishte fuksione publike.
Këto nuk janë teori konspirative, janë të vërteta, na pëlqejnë apo nuk na pëlqejnë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›