Meta: Nuk ka asnjë raport zyrtar për shtyrjen e vizave, kemi plotësuar kriteret
Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta shprehet se Komisioni Evropian do japë nesër vlerësim pozitiv përsa i takon liberalizimit të vizave me Shqipërinë. Shefi i diplomacisë shqiptare thekson se Shqipëria ka plotësuar kriteret e udhërrëfyesit për vizat dhe se tani dhe se tani i takon institucioneve të Unionit për të vendosur. Gjatë shqyrtimit të raportit për vizat në Komitetit për Drejtësinë dhe të Drejtat Civile në Parlamentin Evropian, pritet që Shqipëria të marrë një vlerësim pozitiv për të vijuar më pas procedurat e radhës të hyrjes në “Schengen”, duke nisur nga vendimi i 2 qershorit në samitin e Sarajevës.
Konferenca e plotë për shtyp e zv/kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Ilir Meta:
A ka qeveria shqiptare një reagim zyrtar përsa i përket raportit të KE-së?
Unë mund të them se çdo raport do të bëhet publik në kohën e duhur.
Gjithashtu dua të sigurojë se në çdo rast vlerësimi për Shqipërinë do të jetë një vlerësim shumë pozitiv për shkak të progresit të jashtëzakonshëm që Shqipëria ka bërë për plotësimin e detyrimeve dhe më vjen keq kur shoh se edhe një pjesë e medias për të cilën kam respekt bëhet viktimë e titujve të porositur me keqdashje në dëm të këtij procesi dhe të imazhit të Shqipërisë.
Pra dua të sigurojë se progresi është i padiskutueshëm dhe nuk mund të evidentohet qartë në asnjë lloj raporti që do të jep publik.
Z. Meta a mund të ndikojë fakti që në Bosnjë gjatë këtij viti ka zgjedhje në procesin e liberalizimit të vizave?
Ne bazohemi tek parimi i gjithë këtij procesi, i cili është qartësisht një proces teknik. Ne jemi të bindur në progresin e jashtëzakonshëm që është bërë për të gjitha detyrimet. Natyrisht, edhe pas heqjes së vizave për aspekte të caktuara, sikurse janë ato që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit të organizuar, apo korrupsionit ne do të vazhdojmë të ecim në drejtim të thellimit të kësaj lufte, sepse kjo do të jetë pjesë e vazhdimit të procesit të integrimit europian të vendit.
Por lidhur me të gjitha kriteret teknike, absolutisht unë jam i bindur se suksesi do të jetë i padiskutueshëm dhe i evidentuar shumë qartë. Por këto që më pyetët nuk kanë ndonjë lidhje të rëndësishme.
Për proceduarat ai që vendos është Komisioni Europian. Kemi të bëjmë me Parlamentin Europian, kemi të bëjmë me Këshillin me vendet anëtare dhe sigurisht që gjithë procesi jam i bindur që do të eci në mënyrë shumë normale dhe shumë pozitive.
Në Bruksel do të kemi takime shumë të rëndësishme në Komisionin Europian, Parlamentin Europian, me përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar atje, është pjesë e punës tonë të vazhdueshme.
Z. Meta ju flisni për media dhe tituj të porositur, për cilat e kini fjalën më konkretisht?
Z. Meta: Për titujt e porositur dhe dashakeqës!
Z. Meta, duke ju referuat titujve të porositur do të thotë se ne jemi në një hap me Bosnjën, më pas apo më para ?
Së pari, Shqipëria ka bërë një proces të jashtëzakonshëm për plotësimin e të gjithë detyrimeve të këtij procesi. Së dyti, ne jemi të bindur që vlerësimi do të jetë pozitiv dhe evidentimi i progresi do të jetë shumë i qartë. Së treti, ne nuk mund të komentojmë asnjë lloj raporti, apo dokumenti i cili nuk është bërë publik dhe zyrtar sepse kjo nuk është etike.