Lufta për 30 minutat
Televizioni Shqiptar bën 50 vjet
Lufta politike e të gjithëve bëhej për t’u futur brenda 30 minutshit 20 - 20.30 dhe për të marrë sa më shumë prej tij. Ai gjysmëorësh sulmohej për dy arsye: ishte emisioni më i shikueshëm i lajmeve dhe përfshihej në dy orët e transmetimit me satelit. Për këtë, aty këmbëngulte të ishte shteti; të parakalonte qeveria; të binte në sy pozita se ishte në fuqi; opozita të aktronte persekutim; partitë e mëdha të shpjegoheshin si të mëdha; ato që mbanin veç emra të përbërë, t’u mësohej emri; shoqatat qenë pa numërim; diaspora gjoja ndihmonte; krimi tek gjallërohej për të ngritur krye; arti gati i mekur; sporti pa shikues; deputetë si aktorë; aty të mos mungonte as mburrja as sharja. Ndërtimi e shkatërrimi vinin mpleksur. Kombëtarja e kundërkombëtarja përballeshin ashpër.
Demokracia dhe Diktatura luftonin edhe ndër lajme: njëra të vinte, tjetra të mos ikte. Plot reklama shërbeheshin për lajm dhe lajme të shitura për reklamë; biznes i vërtetë dhe piramida biznes; pështjellime ku nuk mungonin kurrë zëdhënësit e pasosur pa zë, me tekste të mërzitshëm pa figurë; deputetë që s’bënin gjë në sallën e Kuvendit dhe kërkonin nga Televizioni sa për një president.
Lajmbeteja ka qenë përballimi më i mundimshëm i gjitha ditës së punës. Ai gllabëronte energji të shumta dhe pillte sherre pa pra. Politika e kthente 30 minutshin në zënie të plotë, duke lënë në errësirë gjithë kohën tjetër të transmetimit, të gjatë e të kushtueshëm, të krijimeve që harroheshin me kast, sa as nuk përmendëshin. Edhe nëse kujtoheshin për to, ato, ose qortoheshin shumë, ose thjeshtëzoheshin tepër, ose gjykoheshin nga këndvështrimi i lajmbetejës. Departamenti i Lajmeve, ngjante me njëriun fatzi, “Hip se të vrava, zbrit se të preva!”.
Drejtori i departamentit të Lajmeve, Artian Tepelena, i ri në moshë dhe me përvojë të shkurtër në gazetari, i zotëroi shpejt 30 minutat, në gjërat themelore: ndërtoi marrëdhënie pa kërcitje me vartësit, gazetarë, operatorë, folës, regjizorë dhe shoferë. Ai e nuhaste lajmin dhe dinte si të përgatitej kronika. Arrinte të kapte pisllëqet nëse përvidheshin mes lajmit, si shërbim tregtar përfitimesh ose si përfitim nga shërbimi politik.
Ato beteja të shumta e të përditshme nuk ishin aspak të lehta. Televizioni Shqiptar përshkonte një rrugë ferri - nga propaganda komuniste për kah profesionalizmi perëndimor. Edhe kjo ishte pjesë e cfilitjes së shoqërisë, gjatë kapërcimit të saj, nga Diktatura në Demokraci. Kjo bëhej edhe më e vështirë në shoqërinë tonë, sepse idealistët, aq sa ishin, fluturonin duke besuar përjetësisht, ndërsa shkatërrimtarët, kudo që ishin, për të rrënuar pafundësisht. Po e besonim mendimin, si të ishte thënë enkas për ne, në shprehjen anglisht: “No news, good news” (S’ka lajm - lajm i mirë”).
Nxjerrë nga libri “Qendërcikloni”, botuar në vitin 2002