Berisha pret numrin dy të fondacionit “Hans Siedel”
Kryeministri Berisha e falënderoi zv.presidenten Mannle për bashkëpunimin dhe ndihmën e vazhdueshme që fondacioni “Hans Siedel” dhe CSU (Bashkimi Kristian Social) e Bavarisë i kanë dhënë Shqipërisë, qeverisë shqiptare dhe Partisë Demokratike gjatë gjithë këtyre viteve, duke përbërë një mik dhe aleat nga më të rëndësishmit në Europë.
Mannle e falënderoi kryeministrin Berisha për këtë bashkëpunim të shkëlqyer dhe mbështetjen e qeverisë shqiptare për projektet e Fondacionit. Mannle vlerësoi arritjet dhe progresin e jashtëzakonshëm që Shqipëria ka bërë vitet e fundit në shumë fusha, në veçanti në fushën ekonomike, në procesin e integrimit dhe në fushën e sigurisë, duke përshëndetur arritjen madhore të vendit, anëtarësimin në NATO. Ajo i shprehu kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë dhe dëshirën për të vazhduar në të ardhmen bashkëpunimin e shkëlqyer.
Investitorë të huaj operojnë për projektin e madh të turizmit në rrethin e Kavajës
Kryeministri Berisha takoi dje një grup përfaqësuesish të investitorëve të projektit të madh të turizmit të Gose Island, në komunën Gosë të rrethit të Kavajës, të kryesuar nga Majk Uillson. Grupi i madh i investitorëve që operojnë në fusha të zhvillimit të biznesit ndërkombëtar, të kontraktimit të pasurive të paluajtshme, të hotelerisë, arkitekturës ambientale dhe planifikimit urban, inxhinierisë civile detare, si dhe bankave e tregjeve financiare, gjendet në një vizitë në Tiranë, për të lançuar projektin e një resorti turistik me energji të riciklueshme, me impakte të mëdha ekonomike dhe në punësim, për të gjithë rajonin. Destinacioni i ri turistik do të krijohet duke u mbështetur në ekspertizën ndërkombëtare dhe së fundi, të resortit të Cape Verde. Në këtë projekt do të angazhohen partnerë prestigjiozë në arenën ndërkombëtare, të tillë si “Extreme Hotels”, “Capita Lovejoy”, “European Golf Design”, “Metro Urbe”, “Real Estate Capital Group” etj. Kryeministri Berisha falënderoi pjesëmarrësit për prezantimin e një projekti të tillë ambicioz dhe i siguroi investitorët për mbështetjen e qeverisë.
Belortaja pret ambasadorin korean, i paraqet letra kredenciale
Zëvendësministri i Jashtëm, Selim Belortaja, priti dje në një takim ambasadorin e Republikës së Koresë, Jang Tae-Shin, rezident në Athinë, me rastin e paraqitjes së letrave kredenciale. Gjatë takimit, Belortaja vlerësoi nivelin e marrëdhënieve që ekzistojnë mes dy vendeve në aspektin politik dhe në atë ekonomik dhe e falënderoi ambasadorin Jang Tae-Shin për angazhimin e qeverisë koreane në lëvrimin e kredive të buta në shërbim të rrjetit të shpërndarjes dhe elektrifikimit të zonave rurale në Shqipëri si dhe për kontribute të tjera në fushat ekonomike dhe sociale. Ndërkaq, palët në takim u theksua në mënyrë të veçantë edhe nevoja për një shfrytëzim më të plotë të potencialit ekonomik në marrëdhëniet mes dy vendeve. Më tej Belortaja shprehu mirënjohjen e qeverisë shqiptare ndaj qeverisë së Koresë, si një ndër shtetet e para që njohu pavarësinë e Republikës së Kosovës. Nga ana e tij, ambasadori Jang Tae-Shin shprehu angazhimin dhe vëmendjen e qeverisë së Koresë për t’i konsoliduar këto marrëdhënie përmes pjesëmarrjes më të gjerë të investitorëve koreanë në Shqipëri, si dhe intensifikimit të vizitave dypalëshe në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.
9 Korrik 2010