PS-ja përgatitet fort për zgjedhjet vendore, kandidatët për krerët e rretheve, të denjë për betejën lokale
Eneida Jaçaj
Partia Socialiste duket se do të përballet fort me maxhorancën në zgjedhjet vendore. Është e dukshme se kandidatët e përzgjedhur nga Kryesia për krerët e PS-së në rrethe janë figura me potencial dhe me sens organizativ, të cilët janë shumë të denjë për t’u përballur me krahun kundërshtar gjatë fushatës së zgjedhjeve të pushtetit lokal. Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka lënë të kuptojë se nuk do ta dorëzojë lehtë postin e kreut të Bashkisë së Tiranës dhe se do të kandidojë sërish në një luftë të fortë përballë maxhorancës. Pjerin Ndreu dhe Ndriçim Hysa janë vetëm dy prej figurave të denja që kandidojnë për krerët e PS-së në rrethe, të cilët do të garojnë bindshëm edhe në zgjedhjet e pushtetit vendor.
Procesi
Pas përzgjedhjes së kandidaturave nga Kryesia e PS-së për krerët e rretheve, asambletë socialiste respektive në rrethe do të japin fjalën e fundit për të zgjedhur drejtuesit e partisë në rrethe. Nga e premtja, të shtunën e më pas të dielën do të zhvillohet votimi në këto forume, për të bërë të mundur mbylljen e tij deri në datën 12 të këtij muaji. Deputetët e Partisë Socialiste u ndanë në dy seksione për të shqyrtuar listat e kandidatëve nga rrethet. Zyrtarët e lartë socialistë, sipas qarqeve, dhanë opinionin e tyre për të propozuarit që kërkojnë të bëhen kryetarë rrethesh. Në veçanti, zyrtarët e lartë socialistë analizuan kontributet që ata kanë dhënë për partinë dhe angazhimin në bazën e Partisë Socialiste. Më pas, procesi i përzgjedhjes u krye nga Kryesia e Partisë Socialiste.
Kandidatët
Për Tiranën nuk do të jetë më në listë ish-deputeti Musa Ulqini, edhe pse ishte një propozim i Vorës. Mësohet se Ulqini e ka refuzuar këtë propozim. Ndërkohë, në Fier nuk është më në listë Arion Muçaj, që është aktualisht kryetar i PS-së në qytet. Të njëjtat burime nga PS-ja janë shprehur se për seleksionimin e emrave ka pasur mjaft diskutime e debate gjatë ditëve të shkuara. Kandidatët janë ballafaquar me disa kritere standarde që kanë të bëjnë jo vetëm me arsimimin, por edhe me karrierën në parti dhe opinionin që gëzojnë në zonat ku kandidojnë. Për kryetar të PS-së për degën e Tiranës do të konkurrojnë Pjerin Ndreu dhe Bledar Doracaj. Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Pjerin Ndreu, konkurron për herë të parë për një post të tillë në Partinë Socialiste qysh pas kalimit nga LSI-ja te PS-ja. Ndërsa Doracaj aktualisht është anëtar i Asamblesë Kombëtare të PS-së dhe vjen nga një përvojë disavjeçare në postet drejtuese të FRESSH-it dhe një jetë partiake prej vitesh në PS. Për kreun e rrethit të Durrësit, në listë janë Gentian Bejko dhe Aurel Voda. Në Elbasan është në garë ish-deputeti Ndriçim Hysa, Arben Kamani, Astrit Halili. Në Korçë janë Ilir Pendavinji, Bashkim Hazisllari, Ermir Skënderi, Muharrem Meko. Në Pogradec janë përballë Ilir Xhakolli, Fredi Katiraj, Anxhela Andoni. Në Shkodër, Agim Shima e Nikolin Dedvuka. Në Malësinë e Madhe janë Hysen Hysa e Rruzhdi Duli. Në Pukë, Mark Mesuli e Gjon Pepkola. Në Mat janë Myslym Zeneli dhe Hasan Pasha. Në Dibër janë Drini Gjeçi dhe Ulsi Manja. Në Bulqizë, Artur Kola e Shahin Kaja. Në Lezhë janë Agustin Marku e Hasan Muça. Në Mirditë janë Pjetër Pjetri e Gëzim Kaçorri. Në Kurbin janë përballë Pashke Marku e Dilaver Zyba. Në Berat janë përballë tre kandidatura; Valbona Zylyftari, Selman Hodo e Stavri Ceca. Në Fier janë Xhevit Bushi e Pëllumb Hazizi. Në Lushnjë janë Bujar Cela, Ilirjan Bakiasi e Astrit Zeka. Në Mallakastër janë Pajtim Ismaili e Ilir Çelo. Në Tepelë përballë janë Pëllumb Milori e Sulo Muçobega.
STATUTI
Neni 19
Kryetari i Partisë i Rrethit
1. Kandidaturat për kryetar të partisë propozohen nga AS të njësive vendore të rrethit dhe miratohen nga Kryesia e PSSH.
2. Kryetari i partisë së rrethit zgjidhet me votim të fshehtë nga mbledhja e zgjeruar e AS të rrethit. Në përbërje të mbledhjes së zgjeruar të AS të rrethit bëjnë pjesë përfaqësuesit sipas pikës 2, neni 18 dhe kryetarët e OS të rrethit. Mbledhja e zgjeruar e AS të rrethit, si rregull, mblidhet një herë në 4 vjet.
3. Kryetari i Partisë së rrethit është anëtar i AK të PSSH.
4. Kryetari i Partisë së rrethit drejton e koordinon veprimtarinë politike, organizative dhe elektorale të AS të rrethit dhe ndjek veprimtarinë e përditshme të AS të njësive vendore të rrethit.
9 Korrik 2010